Kreu i Demokratëve Euroatlantike, Lulzim Basha, në intervistën e tij për emisionin “360 gradë” në Abc News, vlerësoi se SPAK, nën drejtimin aktual, ka pasur një punë shumë efikase, duke hetuar jashtë kontrollit politikë si asnjëherë më parë në 35 vitet e fundit.
Basha ka përsëritur dhe njëherë se kryeministri Edi Rama dhe Sali Berishën po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të penguar punën e SPAK-ut. Sipas tij, Berisha e sulmon me deklarata publike, ndërsa Rama duke ulur financimet, duke ulur kallëzimet nga institucionet publike si dhe duke urdhëruar mosbashkëpunimin me BKH-në.
Pjesë nga intervista:
Lulzim Basha: Mendoj se SPAK nën drejtimin aktual kanë ndërtuar një bërthamë prokurorësh të cilët kanë provuar me fakte dhe jo me fjalë se dinë të ndërmarrin hetime jashtë kontrollit politikë si asnjëherë më parë në 35 vitet e fundit.
Pyetje: Në ligjëratë të drejtë SPAK-u është një prokurori efikase? SPAK-u nuk është SKAP-i?
Lulzim Basha: S’ka diskutim që nuk është skapi, padiskutim që jo. Është skapi për ata që nuk duan të japin llogari dhe në krye të listës është Edi Rama, pavarësisht se përdor gojën e Sali Berishës. Është njeriu i cili siç e thanë në raportet zyrtare, siç e thotë vet raportimi zyartar i SPAK-ut, i cili i ka çuar në zero denoncimet nga institucionet, i cili i pret fondet SPAK-ut, ka ulur kallëzimet, ka ulur bashkëpunimin. E ka kthyer policinë e shtetit, krerët e policisë së shtetit në njerëz, për të cituar SPAK-un, që bashkëpunojnë me krimin sesa me SPAK-un. Pra, këtu është e qartë se kush dhe pse, jua thash pak më përpara, sepse nuk do të japë llogari.
Pyetje: Nuk kam dëgjuar ndonjëherë zyrtarisht nga përfaqësues të qeverisë që të sulojnë SPAK-un.
Lulzim Basha: Po a ka kriminel që të dalë përëpara dhe të thotë që ka bërë krimin.
Pyetje: SPAK-u është denoncuar, nuk është gjykuar. Pra, në qoftë se flasim kështu nuk kam dëgjuar ndonjëherë që në mënyrë zyrtare, të ketë linjë zyrtare të qeverisjes që të sulmojnë SPAK-un.
Lulzim Basha: Padiskutim, ia ka lënë Sali Berishës atë detyrë, vet e sulmon me vepra. i kanë ndarë punët, me vepra e sulmon Rama, me fjalë e sulmon Berisha. Por është Rama ai i cili i pret fondet, i cili nuk siguron infrastrukturën, i cili urdhëron mosbashkëpunim me BKH, i cili edhe goja i shpëton kur i quan Republika e Prokurorëve. Sepse personi që ka më shumë për të humbur është padyshim kryeministri 12 vjeçar i vendit i cili kërkon edhe 4 vite të tjera pa dhënë llogari për 12 vitet që shkuan.