Ndikimi i Trump 2.0 në Shqipëri – analiza e Altin Gjeta

Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë i ka të gjithë përbërësit për të shkaktuar ndryshime të mëdha politike në të gjithë botën. Lëvizjet sizmike të pllakës më të madhe politike në planet do të kenë efekte pasgoditëse në rajone, fusha dhe çështje të cilat ishin çimentuar në tre-katër dekadat e fundit nga konsensusi në qendër mes të majtës dhe të djathtës pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Në këtë konstelacion, me peshë krejt të papërfilshme, ndodhet edhe Shqipëria. Në skemën e madhe të politikës Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e vagonit në trenin perëndimor pasi nuk ka as fuqi politike, ekonomike apo ushtarake për të vepruar si shtet sovran në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Por, platfroma ‘Amerika e Para’ e presidentit Trump ka gjasa të zhbëjë shumë nga linjat trandicionale politike në botë. Ndryshe nga hera e parë në zyrë, Trump ka mbledhur rreth vetes njerëz që besojnë tek idetë e tij dhe janë të gatshëm të marrin akte të forta pa shumë pyetje.

Qysh në ditën e parë në zyrë, Trump ka firmosur me dhjetra akte ekzekutive që kthejnë përmbys politikat kryesore të administratës Biden dhe Obama. Disa nga këto akte mund të cekin tangent Shqipërinë, por mjaftueshëm për të shkaktuar pasoja me rëndësi.

Së pari, presidenti ka urdhëruar ngrirjen e fondeve dhe rishikimin total të programve të ndihmës së huaj. Ndryshe nga Biden, për Trump demokracia, koncepti perëndimorë i të drejtave të njeriut dhe projektimi i fuqisë amerikane në botë përmes vlerave liberale nuk janë as prioritet as platformë ideologjike në politikën e jashtme. Botëkuptimi i tij është më pragmatist dhe transaksional. Sipas Trump, Shetet e Bashkuara nuk kanë mision liberalizimin e botës, por zgjerimin e fuqisë ekonomike dhe ushtarake përmes tarifave, forcës ushtarake dhe fuqisë ekonomike.

Në këtë kuadër, Trump do shkurtojë fondet për programet e ndihmës të Departamentit të Shtetit si një manovër jo vetëm për të ‘reduktuar shpenzimet’ por edhe si një strategji e re për të zhbërë burokracinë ekzistuese në politikën e jashtme, ndalimin e promovimit të kulturës ultraliberale dhe rrjedhimisht forcimin e vlerave konservatore. Pjesës më të madhe të drejtuesve dhe burokracisë së Departamentit të Shtetit iu është kërkuar dorëheqja e parevekoushme pa hyrë në zyrën ovale.

Refroma në drejtësi është një nga programet më ambicioze të Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin dhe sjellë ndryshime politike në Shqipëri. Prej vitesh ajo ka marrë mbështetje financiare dhe teknike nga programet e ndihmës së Departamentit të Shtetit në kuadër të objektivave strategjik për luftë kundër korrupsionit dhe individëve që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Por, me shkurtimin e fondeve për ndihmën e huaj dhe ndryshimin e burokratëve në agjensitë kryesore të politikës së jashtme, struktura e reja të drejtësisë në Shqipëri mund të margjinalizohen nga mungesa e mbështetjes së drejtpërdrejtë amerikane. Toka për dobësimin e drejtësisë së re është tashmë fertile, dhe një lëvizje e tillë do të ishte e mirëpritur nga klasa tradicionale politike.

Së dyti, Shtetet e Bashkuara prej më shumë se një dekade kanë ndërtuar mekanizma ligjorë për sanksionimin e individëve apo kompanive të huaja që minojnë llogaridhënien, shkelin të drejtat e njeriut dhe përfshihen në korrupsion madhor. Shënjstra krysore e këtyre mekanizmave ka qenë Rusia, Amerika Latine dhe vendet Arabe.

Arkitektura ligjore bazohet në Ligjin Magnitsky, emërtuar në ndër të një avokati rus që u torturua nga autoritet e ruse pasi ekspozoi korrupsionin qeveritar në Rusi. Ligji është përforcuar nga urdhra ekzekutiv të president Obama në 2016, Trump në 2017 dhe Biden në 2021, dhe është vënë në funksion një zyrë koordinuese kundër korrupsionit në botë nga Sekretari Blinken në 2021.

Sigurisht, këto mekanizma janë politikë me mjete të tjera, dhe administrata Biden i ka përdorur sanksionet në mënyrë të gjerë pasi kjo çonte ujë në politikën e tij ambicioze për projektimin vlerave demokratike në botë. Prej kohës kur këto mekanizma janë vënë në dispozicion të administratës amerikane, rreth 250 individë dhe 300 kompani të huaja janë vendosur nën sanksione, përfshirë ngrirje asetesh dhe ndalim hyrje në Shtetet e Bashkuara.

Një nga njerëzit e parë të sanksionuar pas ngritjes së zyrës për koordinim kundër korrupsionit në Departamentin e Shtetit është edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Urdhëri ekzekutiv i Trump për të rishikuar proceset penale dhe veprimtarinë e agjensive amerikane ndaj kundërshtarëve politik duket se është i kufizuar në sferën e brendshme.

Por, Trump nuk e ka fshehur ambicien e tij që lëvizja ‘Amerika e Para’ të shtrihet në të gjithë botën. Për herë të parë në inagurimin e një presidenti u ftuan shtetarë në detyrë apo politikanë botëror jorastësisht me qasje konservatore si kryeministrja italiane Meloni dhe presidenti argjentinas Milei. Ndërkohë, u injoruan krejtësisht kryeministri laburist i Britanisë së Madhe, presidenti francez apo kancelari i Gjermanisë.

Sigurisht, Shqipëria nuk përbën asnjëlloj rëndësie në këtë ‘luftë’ ideologjike në epokën e Trump. Shenjstra krysore e MAGA duket se do të jetë qeveria e majtë në Britani, Gjermani dhe Brazil, për vetë peshën politike që këto vende kanë në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Me zero relevancë në politikën e jashtme, megjithatë, ish-kryeministri Berisha ka dy mundësi teorike sesi mund të shpëtojë nga shpallja e non-grata. Së pari, administrata Trump zhbën mekanizmin e sanksioneve dhe e denoncon si një politikë malinje dhe partizane të Biden. Së dyti, Berisha fiton zgjedhjet dhe zgjidhet kryeministër, duke i siguruar aminsti penale sipas standardit, kreu i ekzekutivit nuk mund të ndiqet penalisht apo izolohet politikisht nga vendet aleate.

Pavarësisht masave radikale që duket se po ndërmerr Trump edhe në politikën e jashtme, nuk ka gjasa që mekanizimi i sanksioneve të zhbëhet krejtësisht. Kjo do të kërkonte anullimin e Ligjit Magnitsky nga Kongresi dhe tërhqje e sanksioneve ndaj zyrtarëve apo sipërmarrësve rusë, arab, amerikano-latin, një pjesë prejt të cilëve janë shpallur non-grata nga administrata e parë Trump.

Megjithatë, ekziston mundësia që të operohet me politikën e cherry-picking, pra të përjashtohen nga sanksionet disa dhe të lihen të tjerë. Kështu që alternativa më e sigurt për ish-kryeministrin Berisha mbetet fitorja e zgjedhjeve siç bëri Trump në Shtetet e Bashkuara. Kjo me shumë gjasë do ta shtyne administraten e re të rishikonte pozitën e ish-kryeministrit.

Por, me duart e zëna në arritjen e një marrëveshje të shpejtë armëpushimi në Ukrainë, stabilizimin e Lindjes së Mesme dhe çmontimin e shtetit managjerial në Ushanington, administrata Trump do të ketë zero kohë dhe interes për të ndikuar në zgjedhjet paralmentare të 11 majit në Shqipëri.

Ndryshimi i burokracisë ekzistuese në Departamentin e Shtetit dhe rikthimi tek politika e sferave të ndikimit, padiskutim do t’ia lehtësojë jetën partive konservatore kudo në botë. Në një territor parapolitik ku operon Shqipëria kjo do të përkthehet në një garë të ethshme të të gjithë krahëve për tu vetëshpallur Trumpist. Një një garë të tillë fiton gjithmonë ai që nuk ekspozon miqt në Uashington, ka durim për rezultate dhe strategji afatgjat.

Lidhni rripin e sigurimit për një fluturim plot turbulenca…

Latest articles

Related articles