Kur Steve Jobs u pyet nga The New York Times se si fëmijët e tij e pëlqenin iPad-in, ai u përgjigj se ata nuk e përdorin atë, sepse ai dhe gruaja e tij vendosnin limite për teknologjinë në shtëpinë e tyre. Ai theksoi se ishin shumë të kujdesshëm lidhur me mënyrën dhe kohën që fëmijët e tyre kalonin duke përdorur pajisjet teknologjike.
Duke folur në këtë mënyrë, ai duket se edhe i ka paralajmëruar përdoruesit e teknologjisë rreth efekteve të varësisë që ai krijon. Tashmë për këtë nuk besoj se ka kush dyshime. Problemi është tek reduktimi i varësisë. Si mund të pakësohet ajo? Si mund të përdoret teknologjia vetëm në mënyrë pozitive, të dobishme dhe me efikasitetin e duhur? Puna e parë është heqja e fiksimit për telefonin sa më cilësor, mundësisht iPhone apo Samsung të fundit, si dhe e manisë për të ndryshuar sa më shpesh telefonin. E para, pra fiksimi pas cilësisë së telefonit, shpenzimi për telefona të cilësisë së lartë, ndërkohë që ka alternativa të tjera më të lira, nuk i’a vlen pasi teknologjia ndryshon me ditë. Një telefon i zgjuar, sado i kohëve të fundit të jetë, sërish bëhet i “vjetër” në momentin që del modeli pasardhës e kjo ndodh shpesh. Dhe sapo del modeli pasardhës, kjo sjell diskomfort tek poseduesi i telefonit të “vjetëruar” në raport me modelin e ri. Ndjehet diskomfort sepse një iPhone, i cili në Kinë prodhohet me një kosto modeste, blihet 1200-1500 dollarë vetëm për të blerë status. Pra, në këtë rast është autosugjestioni ai që blihet dhe jo një produkt me çmimin që vlen. Dhe po qe se ndërrimi i telefonit konform trendit teknologjik të është bërë sëmundje, ky është një problem.
Së dyti, sikurse thamë edhe më lart teknologjia është varësi. Por varësia nuk reduktohet duke ndërruar shpesh telefonin, për të cilin egziston kureshtja e eksplorimit të “avantazheve” që ka ai, krahasuar me modelin e mëparshëm. Për rrjedhojë poseduesit do t’i duhet të rrijë akoma më tepër mbi telefon duke “shijuar” përmirësimet dhe plotësimet teknologjike.😃
nga Shpëtim Luku