Mirupafshim në PD-në e bashkuar – ANALIZA

Shkruar nga Reldar Dedaj

Pothuajse çdo ditë po përforcohet bindja se një gjë çfarë i ndan demokratët nga njëri-tjetri janë ata vetë, kufijtë mendorë që i kanë vënë vetes, ndërsa ajo çfarë i bashkon është se gjenerojnë gjithnjë e më pak shpresë. Për dikë që ka dhënë kontribut që kjo forcë politike të jetë e madhe, e drejtë, e fortë dhe konkurruese mund të jetë një dramë e përditshme. Është si të shohësh një fëmijë të rrëzohet e të lëndohet dhe sërish të nesërmen, në të njëjtin vend bën të njëjtin gabim, rrëzohet dhe lëndohet. Përgjatë këtyre tre viteve, një grup drejtuesish vazhdon dhe e mban peng këtë fëmijë dhe e detyron çdo ditë të bëjë të njëjtin rrugëtim, të rrëzohet dhe të lëndohet. Eh, kjo, edhe nëse nuk duam ne, s’mund të konsiderohet asgjë tjetër; përveçse një sadizëm i paparë.

Kjo duket se është korniza e madhe e tre viteve në PD, e ndoshta edhe për një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë shqiptare. Sepse, Partia Demokratike nuk duhet të shquhet vetëm një pronë e demokratëve, aq më keq e një familje apo grupi shumë të vogël njerëzish, ajo është dhe duhet të njihet si aset i shoqërisë shqiptare, i asaj pjese që vazhdon e pret tashmë prej 12 vitesh një ndryshim të jetës së tyre, të rregullave të mëparshme të lojës, të stilit të jetesës, tregut, të ardhmes. Nëse në ditët apo muajt në vazhdim do kemi fatin të dëgjojmë lajme të mira, kjo mund të ndodhë vetëm atëherë kur dikush ka treguar lidership dhe ka vendosur që gjërat të mos jenë kështu siç po vizatohen sot.

Mirëpo, jo vetëm simpatizanti i kësaj force politike, sepse nëse do ishte vetëm ai, punët mund të ishin ndryshe dhe sigurisht edhe më mirë, por edhe strukturat e partisë, deputetët, kryetarët e degëve, anëtarët e Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar, të gjithë, papërjashtim të gjithë, e kanë shumë të vështirë të mendojnë mbi atë se si dhe çfarë duhet të ndryshojë që subjekti i tyre politik, ai subjekt, që u ka dhënë jo vetëm status shoqëror, entuzisëm, joshje sedre, sigurisht edhe stres, edhe ankth njëkohësisht të rritet, të hapet, e të jetë konkurrues.

Partia Demokratike vazhdon e shkon qorrazi drejt zgjedhjeve të përgjithshme pa një fabul, ofertë dhe mbi të gjitha me një grup individësh që më shumë se vota, grumbullojnë neveri dhe pasiguri të thellë në elektorat. Kësaj pamje nuk mund t’i mungojë as shpallja non-grata e Berishës, edhe pse kriza themelore e PD-së nuk mund të reduktohet thjesht tek kjo e fundit. Personat që duhet ta ndalonin zvogëlimin e partisë tek interesat e kryetarit, jo vetëm që s’e kanë bërë, por as s’mund të hamendësohet se një gjë e tillë mund të ndodhë në ditët në vazhdim. Një pjesë e mirë e tyre, e mbështesin kreun e PD-së, pasi mendojnë se është më i forti dhe duke qenë i tillë mund t’u ofrojë atyre diçka. Të tjerë e mbështesin se mendojnë se ai ka shumicën e votave në PD, edhe pse kjo shumicë ka mbetur e ngrirë që prej tre dekadash. Ashtu sikurse ka plot të tjerë që e adhurojnë Berishën për aftësitë e tij individuale, retorikën e ashpër dhe ligjerimin popullor, që në të shumtën e rasteve i jep zë urrejtjes së tyre ndaj pushtetit të Edi Ramës.

Ka dhe diçka tjetër, fabula e bashkimit që ka ngritur Sali Berisha dhe grupi i vogël që i shkon pas, është një nga hipokrizitë e shumta që po e gropos nga ditë në ditë PD-në, sepse një bashkim i tillë, nuk është një bashkim natyral vlerash e bindjesh të kundërta, por asimilim individualitetesh, nënshtrim karakteresh, në funksion të krijimit të kultit të individit. Po ashtu, nga ana tjetër, është shumë e vërtetë se pa ata, në çdo kohë, tranzicionet e sistemeve nga diktatura në demokraci, nga një llogore në një tjetër, nga një qasje në një tjetër, nga një ide në një tjetër, do realizoheshin në mënyrë krejt të dhunshme. Paqëndrueshmëria e tyre i bën këto kapërcime shumë të buta dhe nga ana tjetër na ndihmon ne të tjerëve që përmes tyre, të realizojmë qëllimet tona. Megjithatë, një fabul e tillë, s’mund të ketë vetëm një protagonist, as dy, fabula e kësaj kohe duhet të ketë më shumë role, sepse bashkimi i këtyre roleve nën një çati, nuk do të thotë se e bën më të fortë dhe kjo s’është asgjë tjetër veçse gjysma e rrugës, pjesa tjetër na tregon se bashkimi i të kundërtave, prodhon gjithmonë diçka të re. Më shumë se bashkim, shoqëria ka nevojë për lindje të diçkaje të re dhe kjo nuk mund të realizohet ndryshe, edhe nëse duam ne, pa bashkimin e të kundërtave.

Latest articles

Related articles