Ditën e djeshme forcat speciale të RENEA-s ndërhynë në një apartament në një pallat në Astir, aty ku këtë të enjte u ngujua një vajzë e moshës 21-vjeç.
Lidhur me këtë ngjarje, policia e Tiranës ka shpallur në kërkim 4 djem që akuzohen për armët e zjarrit, kokainën dhe një jelekun antiplumb që u gjetën në një prej banesave të marra me qira.
Ata bashkë me 3 vajza, mes tyre edhe 21-vjeçarja, kanë festuar mbrëmjen e të mërkurës dhe orët e para të mëngjesit të së enjtes në dy banesat e marra me qira ditore.
Vajza është shprehur se ka shkuar me dëshirën e saj në banesë, por sipas saj kur ka parë që kanë armë është frikësuar. Ndryshe nga sa ka pretenduar gjatë telefonatës në polici ajo ka deklaruar se nuk e kanë dhunuar. Ndërkohë edhe nga akt ekspertiza e kryer rezulton se nuk ka shenja dhune.
I dashuri i vajzës është identifikuar si Joni Sadikaj. Ai është emër i njohur për policinë.
Rreth 8 vjet më parë, Sadikaj është arrestuar së bashku me dy djem të tjerë për trafikimin e 1.3 tonëve kanabis sativa, e cila u kap në bregdetin e Kavajës.
Ndërsa në korrik të vitit 2022, i riu nga Tepelena ra në prangat e policisë pasi iu gjet me vete një armë pa leje, një krehër si dhe municion luftarak.
Ai ndodhej së bashku në një makinë me dy persona të tjerë.