Tradhtuan kauzën e Teatrit për poste! Karma e Altinit dhe shokëve të tij


NGA DORIANA MUSAI

Altin Basha, ishte njëri nga tre figurat e skenës shqiptare, i cili u shfaq përkrah Veliajt, atëherë kur ky i fundit bashkë me Ramën, kishin nisur planin famëkeq të prishjes së Teatrit Kombëtar. Ishte qershori i 2018-ës, kur pas katër muajsh përpjekjesh për të ndalur marrëzinë që hidhej ekraneve, të komunitetit të aktorëve të teatrit, dashamirës të artit dhe kulturës, qytetarë dhe aktivistë, Altin Basha & co, doli nga roli i aktorit të teatrit dhe veshi atë të buratinit të propagandës qeverisëse.

Pikërisht atëherë kur lëvizja në mbrojtje të teatrit, kishte filluar të plotësonte informacionin dhe kishte ndërtuar narrativën, argumentin dhe hapat e nevojshëm konkretë për ta frenuar çfarë dukej se kishte marrë rrokopujën, tre nga aktorët e teatrit braktisën kolegët, teatrin dhe protestën për të dalë buzagaz përqafuar nga Veliaj, me Veliajn. Krahëhapur dhe i buzëqeshur, Veliaj i përdori emrat dhe imazhet e tyre për të ndërtuar skenën e tij të teatrit politik, ku artistët ishin me të, dhe kundra teatrit të tyre.

Ajo foto virale e tre shqiponjave që dolën me gjoksin para dhe flatrat mbrapa, për të shembur teatrin, në skenën e së cilit u bënë personazhe publike, sot, mund të interpretohet si anastiloza e teatrit të madh politik që u luajt me teatrin kombëtar.

Altin Basha, -i cili në fotografi, jo vetëm është përqafuar por edhe ka përqafuar Veliajn, -nuk ishte vetëm njëri nga ata të cilët e braktistën protestën për të mbrojtur teatrin, porse ai spikati, kur u bë fytyra dhe zëri që bërtiste dhe sulmonte më së shumti protestuesit. Ai madje shkoi deri aty sa të akuzonte se në fakt ata (protestuesit) e kishin tradhëtuar teatrin, duke u shndërruar në një lëvizje pro PD-së???! Rol ky, me siguri i mësuar në zyrat e propagandës së qeverisë për ta larguar topin nga fusha ku po luante Veliaj dhe Rama, ngjashem me stafin e dhomës së pasme të ekipit. Kështu Altini, nga artisti në ngjitje i teatrit, mori në pak orë, rolin e buratinit të Erionit të bashkisë dhe servilin e Edit të qeverisë.

Në pak muaj, Altin Bashës iu realizuar dëshira për të shembur teatrin. Me ndihmën edhe të disa firmëtarëve të tjerë, të verbuar nga mungesa e arsyes apo të errrur nga etja për çfarë i ishte premtuar në këmbim, Basha, si njëri nga artistët që legjitimoi shkatërrimin e teatrit u shpërblye duke u vendosur Drejtor i Institucionit të cilin, ai kishte bërtitur fort për ta shembur.
Akt sa antimoral, dhe cinik, aq sa edhe ironik.

U deshën katër vjet që skenografia e ngjitur me pështymën e propagandës, të bjerë. Sot, Altin Basha u shkarkua nga posti i drejtorit të teatrit, pas një investigimi të emisionit Piranja, ku u akuzua se si drejtor i këtij institucioni, në konflikt interesi, ka punësuar bashkëshorten e tij, duke i dhënë dorë të lirë për fondet e një shfaqeje, plot 12 milion lekë për kostumografinë. Sot, Altin Basha është më afër Veliajt, se sa në takimin e përqafimit.

Mgjt, ai është vetëm i rradhës, pasi ka disa firmëtarë të teatrit të cilët, ose janë në burg, ose duke dhënë llogari përpara organeve të akuzës, ose të shkarkuar me pahir. Çështje kohe, kur të shohim edhe të tjerë të lëvizjes Anti-teatër, të bien apo të hidhen tutje si mall i mbipërdorur…kur të ndodhë, sepse do të ndodhë, askush nuk do të kujdeset për t’i vendosur një obol për të kaluar lumin.

Do të lëmë Karmën të bëjë punën e saj.

Latest articles

Related articles