Prej datës 1 janar ka hyrë në fuqi një rregullore e re që përcakton shumën që çdo drejtues mjeti duhet të paguajë për siguracionin e makinës. Më konkretisht, kjo është një makinë e vitit 2006, e cila vitin e kaluar ka paguar siguracion 17 mijë lekë. Ndërsa këtë vit, me rregulloren e re që ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet, siguracioni që duhet paguar është 19 mijë lekë.
Vetë ekspertët e tregut të sigurimeve shprehin rezerva për këtë rregullore sepse, të paktën në këtë vit të parë, një shofer me një sjellje shembullore në rrugë, nuk është përfitues, duke ia zbritur çmimin që duhet të paguajë për siguracionin.
“Në rregullore thuhet që viti i parë do të jetë viti zero, pra nuk do të ketë as bonus, as malus. Këtë vit, nga aq informacione sa kemi, nuk do të ketë ulje të primit të sigurimit dhe do të aplikohen faktorët e tjerë, që janë rrethi, qyteti, vjetërsia, eksperienca e drejtuesit dhe fuqia motorike. Të gjithë ata që kanë pasur një historik dëmesh të mëhershëm kanë mundësinë të mos bëjnë më dëme. Historiku i dëmeve ka qenë, është prej vitesh, nuk e di pse u caktua viti zero”, tha eksperti i tregut të sigurimeve, Erald Hysa.
Zbritje çmimi në këtë vit të parë, sipas ekspertëve, mund të përfitojnë vetëm një kategori e vogël drejtuesish që kanë mjet me fuqi motorike të ulët dhe që jetojnë në qytete, që kanë më pak banorë dhe më pak makina në përdorim.
“Me një përllogaritje, mjetet me fuqi motorike të ulët, 1.6, rrethi, Dibra, Kukësi dhe Berati, ku përfshihen afërsisht 40 mijë mjete, do të kenë ulje”, sqaroi Hysa.
Për ekspertët e tregut, për këtë rregullore të re mungoi ndërgjegjësimi që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të kishte bërë për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të kuptonin si llogaritet çmimi i ri i primit të sigurimit.