Monika Stafa rrëfen periudhën e vështirë: Pas xhaxhait më burgosën babanë

Folësja e lajmeve në Top Channel, Monika Stafa e ftuar në emisionin “S’e luan Topi”, rrëfeu detaje nga fëmijëria dhe jeta e saj familjare.

Ajo tregoi se fëmijëria e saj kishte qenë e bukur edhe pse e vështirë pasi babai i saj u burgos nga regjimi komunist. Stafa kujtoi momentet emocionuese gjatë ribashkimit me babanë pas daljes nga burgu.

Pjesë nga intervista e plotë:

Jemi rritur me jashtëzakonisht kujdes dhe delikatesë. Të dy prindërit kanë qenë në trajtimin tonë. Ndoshta këtë e kemi pasqyruar më tej në etapa të tjera te jetës sonë. I falënderoj për gjithë ato ngjarje tragjike që përjetuan dhe në nuk e përjetuam si ata te dy.

Di që në familje bëheshin shumë fotografi apo jo?

Po kam më shumë se 100 foto. Babai im ditën e diel e kishte ditë feste. Çdo të diel kishim banket ne drekë ndërkohë në mëngjes dilnim te bulevardi i dëshmorëve dhe bënim aty çdo dy, tre jave foto.

Ndalemi tek ngjarjet të cilat disi e kanë shënjuar fëmijërinë tënde.

Së pari në 74 u arrestua xhaxhai dhe u dënua me vdekje, më pas ju ul dënimi në 25 vite dhe 6 vite më vonë arrestohet babai sepse shkonte me ushqime shikonte vëllanë se si ishte me shëndet.

Ke qenë e vogël kur tu arrestuan babai?

Kam qenë 5 vjeç e gjysmë kur ai u arrestua, unë futesha në klasë të parë dhe nuk e kisha babanë ditën e parë të shkollës. Nuk e kuptoja, mamaja më thoshte se babi ishte me shërbim, po për fatin tim shërbimi nuk zgjati shumë dhe ka qenë shume i bukur momenti se si e kam parashikuar se si do vinte sepse e kisha parë në ëndërr. Më kishte marrë malli se s’po e shihja dhe unë dërgoja letra por letrat ishin letra ku unë tregoja si më shkonte, nuk ishin të tilla që po shkonin në burg. Po ndërkohë pyetja ime e fundit ishte gjithmonë: Pse nuk vjen se mua më ka marre malli? Çfarë të mban aty?

A e mban mend ritakimin me babin?

E mbaj mënd ritakimin. Ka qenë fillimi i klasës së dytë, kam qenë 8 vjeç. Shtëpia ishte e mbushur me njerëz sepse në atë kohë lajmërohej që do dilte nga burgu. Ai zgjodhi të vinte në mbrëmje, nuk donte të vinte ditën. Ishte dobësuar por e mori veten shumë shpejt. Shtëpia ishte e mbushur me njerëz që donin ta takonin, e donin dhe mezi prisnin ta përqafonin. Dhe unë sigurisht nuk kuptoja asgjë. Mendoja se babai po kthehej nga puna dhe kaq.

Latest articles

Related articles