2 deputetët e PDIU shpëtojnë mazhorancën! Votohen projektligjet, mungojnë shumë ministra

spot_img

Mbyllet seanca maratonë e Parlamentit ditën e sotme (12 Dhjetor), ku mazhoranca me ndihmën e votave të 2 deputetëve të PDIU-së mundi të plotësonte kuorumin dhe madje kalimin me shumicë të projektligjeve dhe vendimeve të miratuara në rend ditë.

Dita e sotme u shoqërua me tensione, sherre, debate të forta dhe akuza mes palëve që në nisjen e saj paradite dhe deri në mbyllje, rreth orës 19:00. Kur nisi votimi u regjistruan prezentë 71 deputetë. Dy deputetët e PDIU, Avdulla dhe Ademaj “shpëtuan” shumicën.

Presidenti Begaj dha edhe pëlqim për hyrjen menjëherë në fuqi të huas në shëndetësi nga BERZH, që kaloi me 71 vota pro. Kurse Kontributi më FMN mori 70 vota pro, ku abstenoi Ademaj, Marrëveshja me Slloveninë për emergjencat mori 71 vota pro, Hekurudha sha mori 69 vota dhe abstenuan 2 deputetët e PDIU.

Organika dhe pagat e KPK-së mori 69 vota pro, Ademaj kundër dhe Avdulla abstenoi. Pagat dhe organika e Komisionerit Publik mori të njëjtin rezultat votimi, teksa nuk u votua futja me procedurë të përshpejtuar e amnistisë së gjobave.

Ra në sy mungesa e kryeministrit Rama dhe shumë ministrave në sallë për votim, si Taulant Balla, Belinda Balluku, Etjen Xhafaj, Blendi Klosi, duke vështirësuar votimin e projektligjeve.

Projektligjet dhe projektvendimet e votuara sot
-Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”, ratifikuar me ligjin nr. 57/2015”.
71 pro dhe asnjë abstenim apo kundër
-Projektligji “Për miratimin e rritjes së kuotës së Republikës së Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar”.
70 vota pro, 1 abstenim dhe asnjë kundër.
-Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë, për bashkëpunimin në mbrojtje ndaj katastrofave natyrore dhe të tjera”.
71 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër
-Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.90/2021, “Për ndarjen e shoqërisë “Hekurudha Shqiptare, sh.a.””
69 pro, 2 abstenime dhe asnjë kundër
-Projektvendim “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrativë pas mbarimit të mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”.
-69 pro, 1 abstenim dhe 1 kundër

  • Projektvendim “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrativë pas mbarimit të mandatit të Komisionerëve Publikë”.
    69 pro, 1 kundër, 1 abstenim.

Latest articles

Related articles