Hasimja: SPAK po sulmohet nga maxhoranca dhe opozita. Pse PD nuk bind me “mosbindjen civile”

spot_img

Profesori universitar dhe analisti Ermal Hasimja, në një intervistë me Skype në News 24 me moderatoren Ina Qirjo, foli për një sërë çështjesh aktuale politike.

Për Hasimjan, maxhoranca dhe opozita po përpiqen që ta dobësojnë SPAK-un.

“Edi Rama tha se nëse vëllai im del i implikuar te dosja e Xibrakës, jap dorëheqjen nga politika. Jetojmë në një vend ku asgjë nuk është çudi. E shoh si përpjekje për t’i mbushur mendjen qytetarëve, që kryeministri s’ka lidhje me akuzat. Mund të jetë edhe presion mbi drejtësinë. Maxhoranca po përpiqet të dobësojë fuqinë e SPAK, me anë të Komisionit Xhafaj. Kjo, pasi të korruptuarit janë në pushtet. Çmimi për Altin Dumanin nuk jepet rastësisht, por u dha me mesazh politik. SHBA ka dashur të thotë që përkrah atë që po bën SPAK. SHBA i bën me dije kujtdo që sulmon SPAK, që pas këtij institucioni qëndron Uashingtoni”, deklaroi ai.

Ermal Hasimja shprehet se nuk sheh një “mosbindje civile” nga ana e PD-së, por thjesht protesta. Sipas tij, që të realizosh një mosbindje civile, duhet që të kesh me vete shumicën e popullsisë, por se Partia Demokratike nuk gëzon mbështetjen e madhe të qytetarëve. Hasimja e sheh të gabuar edhe diskursin e PD kundër SPAK, pasi Struktura e Posaçme është institucioni më i vlerësuar nga qytetarët shqiptarë.

“Një nga gjërat që mund t’i kthehet boomerang opozitës janë sulmet ndaj SPAK, që është institucioni më i besueshëm në vend. PD ka një gjuhë antiSPAK, është qëndrim kundër perceptimit të opinionit publik, i prish punë nga ana elektorale. Opozita duhet të ishte mbështetësi më i madh i SPAK. Siç po shkojnë protestat njëra pas tjetrës, nuk janë mosbindje civile, por janë protesta. E vetmja gjë që opozita ka paralizuar ka qenë trafiku, që ka lodhur qytetarët. Nuk ndodh mosbindja civile, nëse nuk ke shumicën e qytetarëve me vete. Sali Berisha po mban një qëndrim, me qëllim që të krijojë pozitivitet tek votuesit. Duhet që Berisha pozitivizmin ta shoqërojë me prova, për të bindur që gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur”, përmbylli Hasimja.

Latest articles

Related articles