Për 29 nëntorin! Dita e triumfit të partizanëve, jo e shqiptarëve

nga Indrit Vokshi

Dita e triumfit të partizanëve. Ata, partizanët, ishin “fenomen” mbarë-europian. Në Itali, Francë, Jugosllavi e kudo. Edhe në Shqipëri.

Erdhi një “ideal i ri”, aq i fortë si ideal, saqë në emër të tij u legjitimua edhe dhuna, vrasja, pushkatimi.

Çlirimi i Atdheut ishte motivi pas të cilit fshihej ideali për një Atdhe ndryshe, Atdheut siç e përfytyronin ata, komunistët. Atdheu pa feudalizëm, pa kler, pa aristokraci, pa borgjezi, pa tregtarë. Atdheu i mbështetur në aleancën midis klasës punëtore e fshatarësisë koperativiste nga njëra anë dhe, inteligjencës qytetare nga ana tjetër. Këta, në unitet do të krijonin Atdheun Socialist.

Atdheu e Kombi nuk ishin qëllimi në vetvete, ata ishin shtysa për të frymëzuar e për të krijuar legjitimitet. Milovan Gjilas në udhëtimin drejt Moskës për të takuar Stalinin, shkruan se u ndal në Ukrainë. Aty takoi peshkopin e madh ortodoks. Stalini, anti-fe, u kishte bërë thirrje priftërinjve për të dalë në luftë e për t’i thënë popullit se duhet luftuar për mbrojtjen e Atdheut të shenjtë, kjo sepse populli nuk ngrihej për të luftuar për Marksin e Engelsin, këta emra nuk kishin kuptim për fshatarin rus. Ndërsa Krishti, Atdheu, feja, shenjtëria, kishin fuqi për ta frymëzuar fshatarin.

Njejtë edhe në Shqipëri, nëse do të thirrej luftë për Marksin e Engelsin, populli nuk do të ngrihej për ta e për komunizmin. Prandaj u krijua Fronti Nacional-Çlirimtar për çlirimin e Atdheut, pasi vetëm Atdheu frymëzonte. Komunizmi u fsheh pas Atdheut.

Në ketë luftë për Atdheun u bashkuan qindra e mijëra të rinj shqiptarë, siç ishin bashkuar ngaherë në luftrat e mëparshme. Disa ranë dëshmorë. Ranë për idenë e Atdheut. Jo për Marksin e Engelsin. Pak syresh, ata të mbruajturit me komunizëm, pranuan të bien dëshmorë edhe për komunizmin. Por shumica u nisën për Atdheun. Ata nuk i dinin projektet e “elitës drejtuese” të luftës.

Çfarë erdhi më pas? Atdheu që prodhuan komandantët e partizanëve rezultoi dramatik. Atdheu ku u vranë mijëra të pafajshëm, u burgosën mijëra të tjerë, vetëm pse ishin intelektualë, tregtarë, nuk pranonin regjimin etj.

Internacionalja Komuniste me qendër në Moskë e pushtoi dhe e kolonizoi Shqipërinë. I dha “fenë” dhe “platformën” e saj. Pushtimi rezultoi më dramatik se pushtimi italian e gjerman. Vrasje më shumë, kontrolli mbi shoqërinë më i egër, izolimi më i ashpër.

A na ka pushtuar njëlloj edhe Amerika dhe BE-ja? Amerika e BE janë pak më shumë se influencë dhe pak më pak se pushtim. Pse? Vendet e vogla janë gjithmonë nën influenca të strukturave mbikombëtare, mirëpo ekzistojnë dy instanca: influenca nga jashtë dhe dhuna e brendshme.

Dhuna e brendshme e Internacionales e bën pushtim. Ndërsa mungesa e dhunës së brendshme në nivele të egra nga ana e ShBA e BE, e klasifikon praninë e tyre si diçka pak më shumë se influencë por, diçka më pak se pushtim. Platforma ShBA-BE, bën thirrje për paqe, ruajtje të sistemit me palë të kundërta politike, ekzistencën e një sistemi mediatik relativisht plural etj. Influenca e ShBA-BE nuk ka instancën e dhunës së brendshme për tu quajtur pushtim.

Pra data 29 nëntor 1944 është dita e fundit e triumfit të partizanëve që luftuan për Atdhe dhe, në të njejtën kohë, dita e parë e triumfit të atyre që luftuan për komunizëm e për pushtet kolonial.

Latest articles

Related articles