Debati filozofik mbi Kant dhe Constant në Paris. Ja çfarë u diskutua

Nga Dashnor Kokonozi, Paris

Takimet filozofike të Citephilo për të cilat kam folur më parë, vazhduan sot me një takim me filozofin Jeremy Caron, që është autor i shumë librave mbi Emanuel Kantin dhe njihet si autoritet i tij më i madh në France. Bisedën e drejtoi Antoin Grandjean.
Isha përgatitur për atë takim, sepse për interesa letrare me interesonte një formulim i Kantit për moralin dhe të vërtetën.
Ndryshe nga koha që kam humbur dhe gabimet që kam bërë më parë duke u përpjekur të deshifroj vetë autorë të tillë të vështirë (studentët e mi i mbërthen një ndjenjë tmerri kur hapin librat e Kantit, tha J. Caron në hyrje të bisedës.), pra ndryshe nga sa bëja më parë, ka shumë vite që për fusha që nuk janë të miat, lexoj autorë të tjerë që kanë harxhuar vite për t’i deshifruar dhe paraqitur me qartësi të admirueshme.
Te “Kritika e arsyes së kulluar” duke folur për këtë temë Kanti thotë se cilat do qofshin rrethanat të thuash të vërtetën është një detyrë morale absolute. Gënjeshtra është absolutisht e papranueshme. Gënjeshtra thotë ai, shkatërron besimin në marrëdhëniet njerëzore.
Benjamin Constant, një shkrimtar dhe filozof francez, bashkekohes i Kantit e kundërshton këtë vizion. Ai thotë se të drejtën për të vërtetën e gëzojnë vetëm ata që kanë të drejtë. Dhe me këtë rast sjell shembullin e një banditi që troket te dera e dikujt sepse ka mësuar se aty ka hyrë një njeri që ai do të vrasë. Me këtë rast Constant thotë se është e drejtë të gënjesh sepse kështu mbrohet dhe shpëtohet një jetë njeriu. Aplikimi strikt i të vërtetës absolute të Kantit e bën të pamundur jetën në shoqëri, thotë ai.
Pra siç e shihni, konflikti është midis etikës deontololigje të Kantit dhe nje etike më pragmatiste të Constant-it, që merr parasysh pasojat e veprimit.
Kanti i përgjigjet Constanti me një ese të titulluar “ Mbi një të drejtë të supozuar për të gënjyer për humanizëm”, ku përsëri këmbëngul se të thuash të vërtetën mbetet një detyrë absolute edhe ne rrethanat kur duket sikur gënjeshtra përligjet për t’i dhënë mbrojtje dikujt.
Këtu doli nevoja që Jeremy Caron ta zhvillonte më tej këtë temë. Pashë se edhe të tjerët kishin nevojë të dinin më tej se pyetjet ishin të shumta.
Por ja që doli se herën e parë Kanti (Sipas J. Caron) vetëm sa kishte dëgjuar për problemin që ishte ngritur në Francë dhe ishte përgjigjur pa ditur shumë detaje. Kur Constant-i u përkthye në gjermanisht, Kanti bëri një farë revizionimi të teorisë së tij. Këmbënguli përsëri për nevojën e të vërtetës absolute, por për rastin konkret tha se nuk bëhet fjalë për një gënjeshtër të mirëfilltë por për një deklaratë të gënjeshtërt. Duke lwnw të kuptohet se kjo edhe mund të pranohet sepse nuk është e njëjta gjë. Për të këmbëngulur pastaj edhe në herë të fundit për nevojën e të vërtetës si kërkesë themelore për një shoqëri…
Pyetjes nëse filozofia e tij është aktuale sot, prof. J. Caron iu përgjigj se vepra e Kantit sot shërben më shumë për të ngritur pyetje se sa për të dhënë përgjigje.
Kjo përgjigje më pëlqeu shumë.
(E shihni, nuk ju mërzita me filozofi për filozofi)
Temat vazhdojnë deri në Mars 2025.
Foto d.k

Latest articles

Related articles