Ola Xama
Për vitin e ardhshëm nuk ka asnjë plan për rritje të pensioneve, por vetëm bonus. Madje në fjalimin e tij të sadakasë, kryeministri nuk mori as mundimin më të vogël për të shpjeguar strategjinë se si do të rriten pensionet në mandatin e katërt.
Se ku ndryshon bonusi me rritjen, këtë besoj e kanë të qartë të gjithë: bonusi është një shpërblim që e jep sa herë do e sa do qeveria, rritja është përhershme dhe nuk duhet askush të rrijë i mbërthyer pas ekranit fjalimin e madh të bamirësit.
E vetmja pikë që mund të merret me siguri nga sa u tha në Kuvend në diskutimet e buxhetit, është dhënia e një bonusi të dytë në pranverë. Kjo jo për qartësinë se si do të bëhet shpërndarja dhe mbi çfarë baze, por sepse ndarja e tij është hapur për qëllime elektorale.
Personalisht këtu nuk shoh ndonjë gjë të keqe, madje pesha kryesore në programet zgjedhore të partive politike kudo është ajo për pensionet. Politikat e rritjes së pensionit, mosha e daljes, statusi sipas kategorive të veçanta etj., janë një luftë e vërtetë mes pjesës dërrmuese të partive në botë.
Ndaj kryeministri do të na duhet të na sqaronte pak më shumë se si planfikon t’i rritë në mandatin e ardhshëm pensionet: duke kthyer shqiptarët e larguar apo duke rritur moshën e daljes në pension? Se historinë me aksionin e madh antinformalitet nuk e beson njeri se mund t’i sjellë buxhetit më shumë se 100 milion euro në vit, të mjaftueshme vetëm për një bonus.
Dëgjuam krenarinë se prodhimi kombëtar në një dekadë është dyfishuar, por nuk morëm asnjë sqarim nëse rritja ekonomike është shpërndarë në mënyrë të barabartë për të gjithë. Është e vërtetë që në të shkuarën kemi patur raste të shumta të kapjes së shtetit, tregut, kontrata koncesionare e tendera abuzivë, por dhe ekonomia është rritur me normë të njëjtë, madje 6 pikë përqindje më shumë se këtë dekadë.
Dhe pse u rrëzua me votë pakënaqësie, qeveria e mëparshme ka rritur pensionet në qytet mesatarisht me 8.4% në vit dhe ato të fshatit me 20.6%. Ndërsa nën drejtimin e kryeministrit Rama pensionet janë rritur mesatarisht 2.6% për qytetin dhe 4.1% për fshatin, duke u kufizuar vetëm në indeksim.
Ndaj Sudja më e madhe në këtë rast duket se janë socialistët që po ndërtojnë një piramidë të re në shoqëri që thellon pabarazinë: të pasurit po bëhen më të pasur, e të varfërit më të varfër.
Për mua partitë që premtojnë rritje të pensioneve s’ka pse të kenë komplekse nëse krahasohen me emrat e piramidave të dikurshme. Kjo do më dukej pika më legjitime nëpër programe sepse pensionistët përbëjnë një të tretën e popullsisë, gjysmën e votuesve dhe 70% e tyre janë të zhytur në varfëri pasi marrin më pak se 5.5 dollarë në ditë. Në 10 vjet qeveria e ka konsideruar si të mirëqënë votën e tyre dhe i ka lënë në harresë!