Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, në fjalën e saj në parlament, gjatë diskutimeve të projektbuxhetit të vitit 2025, ka kërkuar nga ministri i Financave Petrit Malaj që të përfshihen në buxhet 6 milionë euro në vit për kompensim minimal të grave që vuajnë nga kanceri i gjirit.
“Ne Jemi një grup zonja deputetesh që është viti i tretë që ju drejtohemi me një kërkesë ku ju paraqesim zërin, dhimbjen dhe pamundësinë e disa zonjave, grave që vuajnë nga kanceri i gjirit. Është viti i tretë që kërkojmë 6 milionë euro për ti ndihmuar këto zonja për ti lehtësuar dhimbjen e tyre”, – tha Çupi.
“Kaq është kërkesa që kanë ato, 6 milionë euro në vit për kompensim minimal të shpenzimeve të grave që vuajnë nga kanceri i gjirit. Proteza, paruke dhe dy aparatura, pet scaner dhe akselerator, të dedikuar vetëm për këto gra që vuajnë nga kjo sëmundje”, thekson Çupi.
Më tej, Çupi deklaron se është premtuar se kërkesa do të pranohet dhe sesa premtimi do realizohet, pritet ta vërtetojë koha. “U premtua sot që kërkesa jonë do të pranohet. Të presim”, shprehet Çupi, në një reagim në rrjetet sociale.