A do ta zhbëjë Donald Trump, SPAK-un? – ANALIZA

Nga Indrit Vokshi

Vetë aludimi se administrata Trump duhet të zhbëjë Reformën në Drejtësi, zbulon, madje demaskon, motivin pse disa liderë qëndrojnë në politikë. Qëndrojnë sepse kanë luftë me prokuroritë e gjykatat.
Populli, shqiptarët, njerëzit, skanë asnjë gjë kundër SPAK-GJKKO, pasi këto nuk kanë objekt pune “popullin”, kanë politikanët, zyrtarët, krimin e organizuar. Çfarë e keqeje i vjen Shqipërisë se një prokurori, funksionon qoftë edhe një ditë të vetme, qoftë edhe pjesërisht? Asnjë e keq, veç e mirë. Vjen çlirim e shpëtim nëse prokuroria e gjykata funksionojnë.
Kujt i vjen e keqe nëse prokuroria funksionon? Politikanëve, feudalëve shtetërorë, oligarkëve, krimit, vrasësve, trafikantëve; ata kanë interes që prokuroria të mos funksionojë, asnjë ditë të vetme, as pjesërisht.
Tani çfarë ndodh? Ngrihen politikanët, në emër të feudalizmit financiar, të familjeve kriminale, në emër të ruajtjes së paprekur të “Byrosë së Re Politike” tashmë jo në një parti por të shpërndarë në të gjitha partitë dhe, manipulojnë një pjesëz të popullit, duke shfrytëzuar inatet, frikërat, polarizimin politik, dëshpërimin prej humbjeve, me qëllim për të mbajtur sa më shumë njerëz në rreshtin e të mashtruarve.
Çfarë interesi ka qeveria Trump për të anuluar Reformën në Drejtësi? Mund ta anulonte vetëm nëse vetë Trump do të kishte hallet e disa politikanëve në Shqipëri, hallet e krimit në Shqipëri, hallet e zyrtarëve banditë të Shqipërisë. A janë aq të shtrenjta për Trumpin hallet e këtyre? Jo. Përkundrazi, pa dashur të parashikoj, nëse Sekretar i Shtetit emërohet Marco Rubio (siç po thonë), politikan pro aleancave transatlantike, ky projekt ka për të vazhduar, fuqimisht.
Shqipëria në BE, smund të integrohet duke integruar në Bruksel, Paris e Berlin krimin ordiner të feudalëve të Shqipërisë. Vërtet BE ka probleme por problemet e BE janë të natyrave të tjera, nuk janë aq poshtë e aq ulët sa për të pranuar krimin zyrtar-ordiner të Shqipërisë në sistemin e saj.
Partia e Trump, po, janë të djathtë. Po a mund të më thoni, ku parashikon e djathta që duhet pranuar modeli feudal-ordiner, vetëm pse vetëdeklarohet djathtas? Askund. Ndaj ska për të pasur solidaritet ideologjik të djathtësh në ketë pikë.

Latest articles

Related articles