PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT
Ngjarja e rëndë në Shkodër, me dy viktima dhe dy të plagosur, tregon edhe një herë se bandat dhe krimi janë të pranishëm në Shkodër, por edhe në shumë qytete të tjera.
Kjo ngjarje pasqyron një problem të thellë, atë se kur shteti dhe qeveria bëhen palë me krimin, duke e mbështetur apo duke e përdorur për interesat e tyre, ai fiton terren, organizohet dhe godet në mes të ditës, duke rrezikuar edhe jetën e qytetarëve të pafajshëm.
Duke shprehur ngushëllimet tona për familjet e viktimave dhe duke uruar shërim të shpejtë për të plagosurit, i bëjmë thirrje institucioneve ligjzbatuese të veprojnë pa vonesë dhe të sjellin para drejtësisë autorët e këtij krimi.
Rendi dhe siguria janë detyrime themelore të çdo qeverisjeje për të siguruar qetësinë e qytetarëve dhe për të shmangur largimin e mijëra familjeve e të rinjve, që kërkojnë të jetojnë të sigurt në vendin e tyre.