Ministria e Financave nxjerrë bllof Ramën: Aksioni antinformalitet nuk rrit pensionet

nga Ola Xama

Se sa seriozisht e ka kryeministri aksionin antinformalitet në tregun e punës, këtë e tregon tabela e treguesve fiskalë që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë me projektligjin për Buxhetin 2025.

Të ardhurat nga sigurimet shoqërore pritet të shtohen vitin e ardhshëm me 89 milion euro.

Për këtë vit parashikimi për rritjen e të ardhurave nga kontributet shoqërore është për 127 milion euro më shumë krahasuar me vitin e shkuar.

Gjatë vitit 2023 të ardhurat nga sigurimet shoqërore u shtuan me 110 milion euro.

Pra, qeveria parashikon që rritja e kontributeve të jetë me ritëm më të ulët se gjatë 3 viteve të fundit.

Që aksioni të ketë rezultat por të ardhurat të mos zgjerohen me shkallën mesatare të viteve të fundit, atëherë do të duhet që të kishim rënie të punësimit dhe ulje të pagave, ose pritshmëri për një rritje ekonomike më të ngadaltë.

Në relacionin që shoqëron buxhetin thuhet se rritja ekonomike do të mbetet e njëjtë dhe do të mbështetet nga dega e ndërtimit dhe turizimit. Nëse kjo ndodh, atëherë një pjesë e kësaj rritjeje do të përcillej automatikisht në zgjerimin e vendeve të punës dhe shtimit të pagave, për shkak të tipologjisë që kanë këta sektorë duke e bazuar aktivitetin te forca e punës. Si rrjedhojë e kësaj, do të rriteshin dhe të ardhurat në skemën e sigurimeve.

Pra, shtesa 89 milion euro që është shënuar në këtë fond për buxhetin e vitit 2025 nuk merr përsipër asnjë rezultat të aksionit të premtuar, madje është larg asaj që thuhet se do të jetë i ngjashëm me aksionin e energjisë elektrike të 10 viteve më parë.

Edhe në parashikimet për vitet 2026 dhe 2027, të ardhurat nga sigurimet shoqërore projektohet të rriten mesatarisht me 5.5%, nga mesatarja 10% që janë rritur vitet e fundit.

Premtimin se do të bëhet një aksion dhe rezultatet e tij do të rritin pensionet, nuk e beson as vetë Ministria e Financave.

Nga e shkuara ekspertët e saj e dinë që në 3 raste kur u shpall me të madhe aksioni antinformalitet, qeveria dështoi me sukses. Sepse ndryshe nga lufta me popullin e thjeshtë për mbledhjen e borxheve të dritave, lufta në këtë rast është me peshkaqenët e mëdhenj.

Latest articles

Related articles