E moshuara në Durrës, viktima e radhës e mikrokredive

Një grua, 58 vjeç tentoi të vetëvritej mëngjesin e kësaj të marte duke u djegur me benzinë para bashkisë së Durrësit. Për fatin e saj të mirë, disa kalimtarë të rastit ndërhynë menjëherë dhe shuan flakët, duke i shpëtuar jetën. Por megjithatë, 58-vjeçarja nuk shpëtoi pa pasur disa plagë djegieje në këmbë.

E ulur në një nga stolat e sheshit, me zërin që i dridhej, gruaja shpjegoi se kishte vendosur që t’i jepte fund jetës për shkak se kishte probleme ekonomike dhe se fëmijët e kishin braktisur. Derisa në vendngjarje erdhi ambulanca dhe e shoqëroi për në spitalin e Durrësit.

Nga reanimacioni, ajo tregoi arsyen e vërtetë se përse kishte tentuar që t’i jepte fund jetës.

Pak kohë më parë kishte marrë një kredi në një nga intitucionet financiare dhe tani po përballej me presionin për të paguar, ndërkohë që 90 mijë lekë të vjetra pension nuk i dilnin për asgjë.

“Kam kërkuar ndihmë kudo, më bëjnë presion për një kredi, ka 6-7 muaj. Kam qenë e rregullt me pagesën muaj për muaj. Nuk kisha mundësi më, djali e kishte pagën e ulët. Më morën nga mikrokredia që ta paguaja, ose paguaje ose do të çojmë në gjykatë dhe të heqim pensionin. Po më detyroni të bëj një veprim që s’dua ta bëj, u thashë. Shkova një javë rresht te banka. Më mori një djalë i thashë s’kam mundësi ta paguaj, s’më intereson më tha. Kisha për të paguar 200 mijë lekë, për ilaçe e bukë më duheshin se bënin 250 mijë lekë ilaçet. Ndaj dogja veten, më thanë që më kanë çuar në gjykatë. 1 milion pata marrë. Këtu bashkia s’na jep asgjë, pse na përçmojnë ne? 90 mijë lekë pension, nuk na del, jam me qira. I kam 600 mijë lekë edhe pronarit. Jetoj vetëm me djalin. Punon djali, me 450 mijë lekë. Kam borxhe të tjera, qira, kredi. Edhe 2020, te bashkia s’më japin asnjë lloj drejtimi, ndaj mora kredi. S’kam bukë, s’kam ushqim, të më ndihmojnë me kredinë, për qiranë,”- ka treguar ajo nga shtrati i spitalit.

Latest articles

Related articles