Armatoset Policia e Shtetit me tendera pa garë dhe pa konkurrencë! Çfarë po ndodh

Policia e Shtetit po armatoset gjer në dhëmbë, teksa nëpërmjet dy procedurave të dyshimta, ky institucion ka shpenzuar rreth 1.1 milionë euro për pistoleta dhe armë automatike.

Mediat ka shfletuar dokumentet e këtyre tenderëve, ku vihet re se “janë bërë vetëm letra”, pasi ka dyshime se fituesit kanë qenë të paracaktuar. Madje, fitues të njëjtë edhe në procedurat e mëparshme.

Dyshimet janë se, ose dokumentet e policisë iu janë përshtatur specifikimeve të firmave, ose nëpërmjet një bashkëpunimi të fshehtë, firmat s’kanë dashur të kenë konkurrencë. Në këtë mënyrë, kompanitë private kanë marrë të gjithë fondin litmit të akorduar, duke mos lënë asnjë qindarkë “rrugës”.

Procedura e parë ka qenë për “blerje armë të shkurtra zjarri”, me një operator ekonomik, ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara. Kriter i përzgjedhjes ishte çmimi më i ulët. Të paktën kështu shkruhet gjithmonë rëndom në letra, pasi ajo që ndodh është se fituesit dyshohet se janë paracaktuar. Në këtë procedurë mori pjesë vetëm një firmë, më saktësisht “MSSC (MILITARY SYSTEM SUPPLY COMPANY)” me një ofertë prej 59.673.600 lekë pa TVSH. Normalisht u shpall edhe fituese, teksa në të njëjtën kohë Policia e Shtetit shpejtoi edhe për lidhjen e kontratës. Kësaj herë, duke i shtuar edhe TVSH-në, shuma shkoi në 71 milionë lekë, që do t’i jepen firmës “MSSC”.

Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit shpejtoi të shpallë fituesin dhe të lidhë kontratën edhe për tenderin me objekt “blerje armë të gjata zjarri”. Sërish shkruhet se bëhet fjalë se fituesi do të shpallet kush ofron më pak, por edhe në këtë procedurë mori pjesë vetëm një kompani ASA “Arms School Academy” me vlerë 31.800.000 lekë pa TVSH. Policia e ka urgjente, pasi i bëri me dije firmës të paraqitet brenda 5 ditësh. Ndërkohë, në të njëjtin buletin, policia ka lidhur edhe kontratën me këtë firmë. Shuma nga 31 milionë pa TVSH shkoi në 38 milionë pa TVSH.Në muajin shkurt 2024, Policia e Shtetit bëri tenderët e parë të armëve, pistoletave dhe automatikëve. Bëri tenderin me objekt “blerje arme zjarri”, e ndarë në lote, me një kohëzgjatje 48 muaj. Në procedurë morën pjesë “MSSC (MILITARY SYSTEM SUPPLY COMPANY) me vlerë 146.69.600 lekë dhe firma ASA “ARMS SCHOOL ACADEMY” me vlerë 159.583.200. Në atë kohë pati një garë, teksa fitues u shpall “MSSC (MILITARY SYSTEM SUPPLY COMPANY)” që ofroi 146 milionë lekë.

Po në muajin shkurt 2024, Policia e Shtetit nuk e la “thatë” firmës ASA, të cilën e shpalli fitues në tenderin me objekt “blerje armë të gjata zjarri”. Firma ASA ishte e vetmja në garë, teksa ofroi 77.910.000 lekë pa TVSH.

Të dyja firma, si MSSC-ja dhe ASA janë shpallur fituese në dhjetëra procedura të klasifikuara si sekrete edhe nga Ministria e Mbrojtjes. Madje, edhe ato tendera, janë bërë pa garë, duke e konsideruar të gjithë blerjen e armëve një farsë të madhe/Voxnews

Latest articles

Related articles