Arrestimi i Metës nuk e dëmton aspak opozitën

Nga Ergys Mërtiri

Pamjet e ish-Presidentit të Republikës që tërhiqet zvarrë për tu dërguar në burg, janë natyrisht të pakëndshme dhe të padenja për një vend normal që pretendon të jetë knadidat për në BE. Por për një vend që është vjedhur e përçudnuar si kurrkund për 33 vjet me rradhë dhe askujt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë, këto pamje ofrojnë shpresë. Natyrisht, edhe Ilir Meta, si çdo qytetar i këtij vendi, gëzon të drejtën e prezumimit të pafajsisë derisa gjykata të thotë fjalën e fundit, por duhet thënë gjithashtu se, po si çdo qytetar i këtij vendi, ai ka edhe detyrimin të përgjigjet para drejtësisë për akuzat që i adresohen lidhur me ushtrimin e detyrës.
Në një vend si Shqipëria, ku pushtetarët, majtas dhe djathtas, kanë gëzuar privilegjin e të qenit të paprekshëm duke mos dhënë kurrë llogari për abuzime të tmerrshme që i janë bërë këtij vendi për vite me rradhë, është lajm i mirë – madje i mrekullueshëm – kur të paprekshmit fillojnë të vihen në bankën e të akuzuarve.
Mbështetësit e Metës dhe Berishës po thonë tashmë se arrestimi i sotëm është sulm i Edi Ramës për të shkatërruar opozitën. Kjo në fakt është krejtësisht e pavërtetë, madje përkundrazi, arrestimi i Metës dhe Berishës është gjëja e fundit që ai do kish dashur.
Së pari SPAK-u nuk është aspak nën kontrollin e Edi Ramës. Përkundrazi, ai është kërcënimi i vetëm dhe mjaft serioz për të dhe qeverinë e tij. Nëse ka ndonjë vullnet që ka fuqi imponuese ndaj SPAK-ut ai gjendet vetëm tek faktori ndërkobëtar dhe jo tek Rama. Përkundrazi, SPAK-u ka goditur më shumë se askush tjetër imazhin e kësaj qeverie dhe e ka copëtuar në sytë e publikut moralin e saj.
SPAK-u ka arrestuar dhe vënë nën hetim njerëzit dhe bashkëpunëtorët më të afërt të Edi Ramës, ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë, funksionarë të lartë, përfshi këtu edhe grupe kriminale të cilët kanë shërbyer si shtab elektoral për të blerë vota në terren. Vetëm me amnistinë e fundit, me votën e Ramës dhe Berishës, u liruan 115 vetë të arrestuar nga SPAK-u, të cilët kanë qenë zemra e patronazhimit të PS-së në zgjedhje. Hetimet e deritanishme do ta kishin rrëzuar këtë qeveri nëse përballë saj nuk do kishte pikërisht dyshja Berisha-Meta.
Jo më kot, Rama e ka vënë në shenjestër këtë prokurori duke e penguar me çdo mjet, që nga mosbashkëpunimi i policisë me të, tek mosrealizimi i kërkesave të Dumanit për shtim të personelit dhe zgjatje të mandateve, e deri tek më i rrezikshmi komisioni parmalemtar Xhafa, i ngritur dukshëm për të shkatërruar fuqinë e tij. Garancia e vetme që e mban në këmbë këtë prokurori janë ndërkombëtarët.
E vërteta është se Rama nuk është absolutisht i interesuar të eleminojë Metën dhe Berishën. Përkundrazi, ata janë sot aseti më i madh i tij për të mbajtur pushtetin. Prej kohësh, ata kanë qenë veç barrë për opozitën dhe shkaktarët kryesorë të pamundësisë së saj për të përmbysur qeverinë, megjithë skandalet e tmerrshme të saj. Rama e di mirë se eleminimi i tyre i hap rrugën eleminimit të tij. Ai e ka të qartë se pas tyre e ka rradhën ai, ndaj dhe është njeriu më i shqetësuar për këtë arrestim.
Pra Berisha dhe Meta kanë qenë barrë për opozitën dhe nëse do të kishin vërtetë interes për ta shpëtuar atë, gjëja e parë dhe e vetme që do bënin është ta çlironin atë nga kjo barrë duke u larguar me kohë. Por jo, ata ndenjën aty duke i dhënë kosoto opozitës e duke i dhënë mundësi Edi Ramës të motivojë votuesin e majtë me alarmin: Po ika unë, do iu vijë Saliu dhe Iliri.
Ata nuk hapën rrugë as kur mësuan se janë nën akuzë, duke e shtrënguar fatin e opozitës pas fatit të tyre pa kthim. Ata nuk zgjodhën të përballen me drejtësinë duke dorëzuar “imunitetin” e tyre politik, por zgjodhën të përdorin partitë e tyre, njerëzit e tyre, mbështetësit e tyre, si barrierë njerëzore kundër drejtësisë. Ata e shkatërruan opozitën për të mbrojtur veten, ndërsa në realitet as veten nuk po e mbrojnë dot.
Për këtë arsye, largimi i tyre do ti jepte opozitës vetëm çlirim nga kjo barrë dhe, sa më shpejt që opozita ta kuptojë këtë, ndonëse sot është shumë vonë, aq më mirë do jetë për të.

Latest articles

Related articles