Pse dhe cilat janë shkaqet që opozita shqiptare është sot në krizë

nga Spartak Ngjela

I.
Partia Demokratike vijon të jetë në krizë.
Asnjë individ që merret me drejtimin e një partie të madhe politike nuk duhet ta harrojë për asnjë çast se politika ka një rregull strikt: Përsëritja e ideve të vjetruara ose mospasja në fjalimin tënd politik ide të reja për t’i hedhur ato përpara shoqërisë tënde, krijon një gjendje politike që nuk e pranon dot assesi opinioni publik.
Partia Demokrarike është në opozitë dhe nuk ka ide të reja. Opozitë politike don të thotë novacion në ide për ndryshimin e një gjendjeje shoqërore që është në staniacion.
Por ne jemi akoma në polemikën komuniste: fjalime fyese kundrejt kundërshtarit politik, dhe asnjë fjalë për një program të ri zhvillimi. Ky nuk quhet as mediokritet, se është paaftësi tërësore për të drejtuar një shoqëri në ekonomi, në legjislacion dhe në drejtësinë shoqërore.

Shoqëria shqiptare sot është në staniacion, sepse opozita e drejtuar nga Partia Demokratike nuk po krijon ide të reja për zhvillimin aktual të Shqipërisë. Atëherë pse kjo parti nuk e ndërron lidershipin aktual?
Dikur, një kryeministër i sapozgjedhur në Britani mbajti në parlament fjalimin e programit të tij ekonomiko – politik, dhe parlamenti i gjithë nuk kuptoi dot asgjë. Por, aty për aty, u ngrit nga vendi një politikan i ndritur dhe ia mori një kënge të vjetër angleze me titull: Bari i mirë na thuaj, ku?
I gjithë parlamenti në korr këndoi këngën “bari i mirl na thuaj ku”, dhe kryeministri dha dorëheqjen
E pra, në një demokraci të vërtetë kjo këngë duhet t’i këndohet çdo lideri që drejton qeverinë apo një parti, nëse ai nuk krijon dot ide të reja për zhvillimin kombëtar.

II.
Çdo politikan duhet ta dijë që “politika është verb”, këtë na kanë thënë filozofët e mëdhenj. E pra, politika e suksesit është fjalë e zgjedhur në ide të reja politike për aktualitetin, dhe nuk është përrallë.
Prandaj, gjithmonë duhen ide të reja në drejtimin ekzekutiv të një shoqërie demokratike.

Ja, ky është sekreti i politikës që ajo duhet t’ia shfaqë shoqërisë së vet me anë të lidershipit kombëtar në drejtim.
Sepse për suksesin e një lideri politik, opinioni publik në këtë rast gjendet njëlloj si me suksesin numerik të një romani. Pasi u lexua gjerësisht, ai roman shkon e hyn në historinë e letërsisë dhe nuk është më në treg. Dhe autorit sigurisht që i duhet të shkruajë sërish një tjetër roman të suksesshëm, që ai të vijojë suksesin e tij letrar..
Ja, ky është po njëlloj, edhe suksesi politik në një shoqëri demokratike. Nëse lideri i një partie nuk krijon dot më ide të reja për zhvillim kombëtare, ai ka falimentuar dhe duhet ndërruar urgjent.

III.
Po në Shqipëri?
Ne jemi ende larg nga ky lloj motivi dhe nga ky nivel, sepse ende politika shqiptare, në të dyja partitë e mëdha, nuk po drejtohet dot nga intelektualizmi krijues në politikë. Liderët e tyre sorollaten mes fjalësh boshte, dhe prandaj sot në Shqipëri ne po konstatojmë realisht një vakum që nuk po e lejon zhvillimin kombëtar. Sepse, në të dyja partitë e mëdha që i japin tonin pushtetit aktual në drejtimin ekzekutiv e parlamentar të Shqipërisë, nuk ka ide te reja. Politika e lartë sot në Shqipëri është e shterpëzuar.
Por duhet thënë se partia që është në pushtet është e sigurt të vijojë, nëse opozita e saj nuk ka ide të reja për zhvillimin kombëtar.
Por njëherësh, faktet po tregojnë se, në Shqipëri sot, kjo politikë aktuale, në të dy krahët e saj, është me liderë të korruptuar.
Prandaj demokracia ende nuk ka mbërritur e plotë në Shqipëri, dhe kjo krizë mund të zgjidhet vetëm nga një pushtet gjyqësor me autoritet profesional dhe shumë i drejtë.

lV.
Zotërinj! Kujtoheni gjithmonë se demokracia është idea e re vijimisht në lëvizje dhe përballë oponionit publik. Por demokraci don të thotë gjithashtu zbatim i shenjtë i ligjit që mbrohet nga një pushtet gjyqësor i pakorruptuar dhe shumë i drejtë.
Nëse në një shoqëri kjo nuk ekziston, aty ende nuk e ka filluar ekzistencën e vet as demokracia dhe as liria e vërtetë e individit.
Dhe mbajeni mend se: Kryeministri që flet përralla dhe jo ide të reja përara opinionit publik, nuk është demokrat, por autokrat – domethënë diktator.
Dhe kujtoheni gjithmonë faktin se diktatori modern nuk ushtron dhunë për të ardhur në pushtet, dhe as pushtetin nuk e mban me dhunë: diktatori modern gjithçka e kryen në zgjedhjet elektorale, ku forca e tij e fshehtë shpërhapet me stil manipulues në të gjitha kutitë e votimit.
Dhe këtu vëmë një Pikë.

Spartak Ngjela
Tiranë, më
20 tetor 2024

Latest articles

Related articles