Endri Shabani: Shqipëria hapi negociatat me 40 vite vonesë!

Hapja e negociatave për integrimin në BE është një lajm i shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Padyshim i duhet t’i jemi mirënjohës çdo punonjësi të administratës publike, që nga ata që janë përfshirë në negociatat, deri tek nëpunësit që janë angazhuar për plotësimin e standardeve në nivel qëndror dhe lokal.

Ama politikanët si Rama, apo edhe Berisha me Metën, nuk mund të presin lavdi, sepse këtij populli ata i kanë boxh kohën e humbur.

Shqipëria mund të ishte në Bashkimin Evropian që në vitin 1986, kur Gjermania Perëndimore na ofroi një plan zhvillimi. Por Ramiz Alia e refuzoi, se kishte hall mos tradhëtonte mësimet e Leninit.

Mund të ishim pjesë e BE-së që në vitin 1992, kur ishim kampionët e integrimit në Ballkan. Por Berisha ishte i zënë duke veshur këpucët e Hoxhës, dhe e ktheu vendin në prag të luftës civile.

Në vitin 2004, Shqipëria mund të ishte bërë pjesë e BE-së, bashkë me vendet e tjera të vogla të ish-bllokut lindor. Por Nano e ktheu Shqipërinë në një nga vendet më të korruptuara në botë.

Mund të ishim anëtarësuar në 2013, bashkë me Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë. Por Rama, atëherë kryetar opozite, bllokoi procesin e integrimit, duke nxjerrë justifikime për të braktisur Parlamentin që të mos votonte tre ligjet e kërkuara nga BE-ja.

Një jetë e shpenzuar duke pritur tre Godotë që të tregojnë një fije patriotizëm… Nëse jo patriotizëm, të paktën përgjegjësi… Nëse jo përgjegjësi, të paktën frikë nga pasojat e veprimeve të tyre… Nëse jo frikë, të paktën lodhje nga rrënimi që i kanë bërë këtij vendi. Por këta na qëlluan të pangopur dhe të pandryshueshëm.

Dhe sot po këta njerëz kërkojnë lavdi?!

A do kishte Shqipëria këtë standard jetese sikur të ishim anëtarësuar para 30 vitesh?

A do kishin emigruar kaq shumë njerëz nëse ne do të ishim anëtarësuar para 20 vitesh?

A do ishin mbi 80% e të rinjve shqiptarë duke kërkuar të largoheshin nga ky vend sikur të ishim anëtarësuar para 10 vitesh?

Por ja ku jemi sot. Kemi humbur vitet më të mira të jetës duke ia lënë vendin në dorë njerëzve të papërgjegjshëm, të cilët menduan vetëm për pushtetin e tyre

Prandaj sot jo vetëm që nuk i detyrohemi mirënjohje, por duhet të fitojmë kurajo për t’i larguar sa më shpejtë, që të fitojmë sado pak nga koha që ata i kanë humbur këtij populli.

Nuk kemi më kohë për humbur!

Latest articles

Related articles