Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në një intervistë të shtunën me rrjetin televiziv “Canale 5”, komentoi rastin ku u hakërrua llogaria e saj bankare nga një ish-punonjës i bankës.
“Për gjithë këtë çështje kam një shpjegim, por shpresoj që në një moment të vijë e vërteta e drejtësisë.
E dini, ka hajdutë që hyjnë në shtëpi, vjedhin gjërat me vlerë dhe ia shesin marrësit. Mendoj se e njëjta gjë po ndodh me tregun më të gjerë të informacionit”, tha kryeministrja italiane.
Ajo shtoi se “ka zyrtarë publikë dhe privatë që sigurojnë në mënyrë të paligjshme disa informacione dhe më pas i shesin në treg”, duke lënë të kuptohet se të dhënat e llogarisë së saj bankare do të përdoreshin për shantazh.
Por shefja e ekzekutivit në Romë theksoi se jetën dhe të ardhurat e saj i kanë kaluar në filtra të mëparshëm dhe nuk kanë gjetur asgjë të jashtëligjshme, ndaj ajo nuk i trembet shantazheve të tilla.
“Kujt ia shesin? Ne presim përgjigjen. Mund të supozojmë se pas gjithë kësaj fshihen interesa. Janë mijëra persona që janë viktima të këtyre përgjimeve të paligjshme bankare.
Nëse më pyesni pse, për sa u përket politikanëve, janë thuajse të gjithë të qendrës së djathtë. Do të përgjigjem se në gjithë këtë dramë ka një lajm të mirë: që më kanë kaluar jetën me skaner dhe nuk gjetën asgjë.
Kjo, ndoshta, është arsyeja pse jam aq shumë e pakompleksuar nga kjo histori. Ndoshta ka grupe presioni në vendin tonë.
Këto grupe nuk duan të pranojnë që në qeveri është dikush që nuk i nënshtrohet presionit, që nuk mund të bëhet objekt shantazhi dhe mundohen, ndoshta, ta heqin me mënyra të tjera. Por kam frikë se nuk do të kenë sukses”, nënvizoi Meloni.