Po sot Z.Boçi po vazhdoni të qeshni? Gazetari Ermal Peci pyet

Në datën 27 shtator isha i ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare” në Rtsh, e cili drejtohet nga Elona Jaçellari dhe Andri Xhahu për të folur për dënimin e Salianjit. Në fakt sa herë që jam i ftuar në emisione ku duhet të flas për çështje politike ose sociale nuk pyes kurrë se kush është i ftuar tjetër sepse për mua ka rëndësi që të shpreh mendimet e mia sipas deduksionit dhe analizës së rrethanave politike apo historike, se si kanë vepruar aktorët politikë.

Në panel ishte i ftuar dhe Luçiano Boçi, të cilin realisht e kam vlerësuar për qytetarinë e treguar në korridoret e PD-së, por që ndajmë mendime thellësisht të kundërta mbi rrugën që duhet PD të vazhdojë edhe pse kemi statuse komplet të kundërta. Partneriteti me aleatët strategjikë, fuqizimi i institucionit të SPAK dhe GJKKO-së edhe listat e hapura janë disa nga pikat ku unë mendoj ndryshe, por le të kthehemi tek tema.
Kur po analizoja faktin që Salianjit iu ngul një thikë pabesie pas shpine, e cila e dërgoi padrejtësisht në burg, bëra fajtorë dy individë, Edi Ramën dhe Sali Berishën. Fakti që dy gjygjtarët e Apelit janë po të njëjtët që i dhanë vulën e PD-së së Sali Berishës, fakti që sa herë kanë dashur të kapin sistemin e të godasin drejtësimë përsëri bëhen bashkë, por edhe që secili nuk do rreth e përqark njerëz, të cilët i cënojnë pushtetin politik e që nuk janë rrethi i tij besnik.

Marrëveshja e vitit 2008 mes Ramës dhe Berishës duket se është akoma funksionale si para kamerav, por edhe në skutat e errëta të politikës. Në këtë deduksion politik bëra deklaratën e radhës që pas Salianjit radhën e ka Gazment Bardhi. Në këtë moment Luçiano Boçi nisi të vinte buzën në gaz dhe ta ironizonte si deklaratë. Mungesa e eksperiencës në debate apo shqisat e pa stërvitura në të tilla situata bëjnë të vetën, por në atë moment i thashë vetëm kaq: “Nuk është etike që kur unë flas ju të qeshni, por vazhdoni”, e mu kujtua shprehja e Gandit të cilën e citova: “Në fillim të injorojnë pastaj të qeshin, të luftojnë e në fund fiton ti”. Ditën e djeshme në orën 18:00 ku Sali Berisha i bëri thirrje nga ballkoni mbështetësve të tij , por edhe deputetëve të tij, të cilët një pjesë janë bërë me hernie cervikale për shkak se kanë muaj që mbajnë kokën lart për të dëgjuar porositë politike të radhës, dëgjuan se njeriu pasardhës në rresht që do arrestohet nga Rama e ka emrin Gazment Bardhi. Ajo që nuk tha Berisha është që këtë pastrim brenda të djathtës po e bën së bashku me Ramën nëpërmjet marrëveshjeve të fshehta. Pavarësisht asaj që ai tha, si e tha, e çfarë mesazhi donte të përcillte, Berisha bëri publike që për 3 muaj Bardhi do të ketë fatin e Salianjit. Tashmë deklarata e Berishës erdhi 8 ditë pas asaj çfarë unë thashë përballë Z.Boçit , e pyetja që lind sot është;
Po me deklaratën e Berishës po vazhdoni të qeshni Z. Boçi?

Latest articles

Related articles