Meta: SPAK ka gjetur diçka te njerëzit rreth meje. Do kandidoj me PD në Tiranë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka sulmuar sërish shefin e SPAK-ut, Altin Dumanin.

Meta deklaroi sot në një konferencë për shtyp se Dumani ka 5 vite që e heton dhe që sipas Metës, nuk ka gjetur asnjë të dyshimtë në lidhje me veprimtarinë e tij.

“Nuk e di sa e saktë është kjo deklaratë e bërë nga një burim i tretë, por i është referuar edhe burimit të parë, që është Dum Dumani, personalisht prej kohësh. Mund t’ju deklaroj që pavarësisht se Dum Dumani ka 5 vjet që heton për Ilir Metën, mbi bazë të kallëzimit të një personi të çmendur që është dënuar edhe me vendim gjykate për ‘dhunë në familje’ që në dhjetor të vitit 1999, kur ka qenë kulmi i debatit për gjykatën kushtetuese. As s’ka gjetur dhe as nuk ka për të gjetur asnjë akt të Ilir Metës në kundërshtim me ligjin, asnjë llogari gjëkundi, asnjë pronë të padeklaruar apo të fshehur”, tha Meta.

Meta hodhi akuza se janë bërë inskenime të bisedave ambientale me njerëzit e afërt të tij të dikurshëm, duke thënë se në këtë mënyrë SPAK ka gjetur diçka.

Por se cilët janë këta persona, dhe se për çfarë bëjnë fjalë bisedat e përgjuara, Meta nuk preferoi që të komentonte.

“Po, kanë gjetur diçka rreth njerëzve që Meta i ka pasur pranë, dhe i përdorin, duke bërë dhe inskenime të bisedave gjoja ambientale që janë estradë e vërtetë. Dum Dumani ka si qëllim të përdorur njerëzit e korruptuar të opozitës për të goditur udhëheqësit e vërtetë të opozitës”, tha Meta që nuk zbuloi më tej për personat e përfshirë dhe subjektin e bisedave.

Gjatë komunikimit me mediat, Meta u shpreh se Partia e Lirisë ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku zbuloi se vetë ai do të kandidojë në qarkun e Tiranës

Latest articles

Related articles