Kreu i Nismës Thurje Endri Shabani tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se beson që ka pasur një pazar Rama-Berisha, lidhur me zgjedhjet në Himarë. Shabani vë në dukje që Himara është një shembull e asaj çka Rama dhe Berisha do bëjnë në zgjedhjet e 2025-ës, prandaj sipas tij nevoja për një opozitë të re dhe të shkëputur nga kryeministri është urgjente. Kreu i Nismës Thurje shton ndër të tjera se në zgjedhjet e Himarës PD tregoi paaftësi totale organizimi dhe strategjie, duke treguar se është një forcë politike e paaftë për të bërë rotacion.
“Humbi opozita sepse PD e kishte fituar Bashkinë e Himarës dhe e humbi ketë bashki. Unë besoj që është pazar. Pozicionet janë ndarë. Berisha e di shumë mirë që s’fiton dot zgjedhjet, dhe preferon që në bashkëpunim me Ramën të mbajë monopolin e opozitës, duke e ndihmuar Ramën të mbajë monopolin e pushtetit. Sa i takon funksionit parlamentar po operojnë si një grup i përbashkët parlamentar. Pjesë e këtij koalicioni janë edhe pazare të tilla, ku lëshohet një vulë, një bashki. Këto pazare kanë 34 vite që bëhen. Berisha dhe Rama kanë qëlluar bashkë më shumë se shumë çifte. I vetmi çift që vazhdon të jetojë në mënyrë simbiotike janë Berisha me Ramën, por janë në martesë politike. Do ketë padyshim rotacion sepse ata s’do ia dalin në funksionin që kanë marrë përsipër. Ajo që ndodhi në Himarë është një shembull e asaj që do përpiqen të bëjnë në 2025-ën.
Në një bashki që ishte fituar nga opozita, zgjodhën një kandidat që u katapultua pa lidhje me zonën, pa një konsultim me degën, partinë. E dyta, një paaftësi totale organizimi. Ditën e zgjedhjeve thonë që Rama s’na lejon 6 mijë njerëz që të votojnë! Çfarë partie je ti kur s’e di kush janë votuesit e tu, dhe a kanë mundësi të votojnë! Flasim për një zonë me 8000 votues. Një paaftësi totale. Shtoi një pjesë tjetër që ka të bëjë me strategjinë. Para ditës së zgjedhjeve promovojnë humbjen e zgjedhjeve. Thonë Edi Rama po na vjedh zgjedhjet. Nëse ti i thua që pala përballë po fiton, votuesi s’ka pse voton, apo numëruesi s’ka pse numëron. Opozitën Berisha e ka futur në xhep dhe e tregton. Nuk e dimë a po shitet lirë apo jo, pasi i shohim lejet e ndërtimit pas disa vitesh. Në kompleksin Partizani është ndërtuar me lejen e Ramës, thotë Berisha, dhe del pas 10 vitesh.
Berisha s’mundet ta largojë Ramën dhe të sjellë një qeveri tjetër. Këta janë të paaftë për të sjellë rotacionin, për të sjellë ndryshimin politik në Shqipëri. Edhe mënyra si u luajt në Himarë, u luajt me grupe radikale që janë kundër popullit shqiptar! Në këto zgjedhje u duk Rama si patriot i madh. Kush ia ngriti këtë top? Berisha. Shkuan bënë fushatë atje greqisht, në një territor shqiptar. Berisha, me apo pa vulë, s’i fiton zgjedhjet, s’ka legjitimet, liri dhe s’ka aftësi. Vendi ka nevojë për një opozitë, që s’e bën Berisha sepse është zgjatim i qeverisë së Ramës. Himara i shërben çdo njeri që ka dy pare mend në kokë, për të kuptuar që vendi ka nevojë urgjente për një opozitë të re, që e para të jetë e shkëputur nga Rama.
Kemi një sistem të inkriminuar që mban njëri-tjetrin. Pushteti i jep oksigjen financiar dhe mediatik Berishës qëllimisht. Nuk është vetëm Rama që ka grupet e tij kriminale, është edhe Berisha që ka grupet e tij kriminale. Unë besoj që vitin e ardhshëm do ketë rotacion, edhe për shkak të asaj që po bën SPAK-u, edhe për shkak të fuqizimit të forcave të reja, por edhe për shkakun që këta kanë bërë një sistem zgjedhor që do t’ia shihni rezultatin vitin që vjen. Në PS në 2025 do ketë dy grupe parlamentare. Do ketë një grup që do jenë deputetët e listës së mbyllur, dhe një grup tjetër që do vijë nga një fushatë jashtëzakonisht e egër. Në 2025-ën ky vend do shkojë drejt pluralizmit, sepse s’mban më”.



