Në faqen zyrtare të Kuvendit është fshirë reagimi i Elisa Spiropalit për zgjedhjet në Himarë, ku fitoi kandidati i PS-së, Vangjel Tavo.
Postimi i fundit në këtë faqe del më 2 gusht. Pra, pas kritikave, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka urdhëruar që të fshihet mesazhi i saj me rastin e përfundimit të zgjedhjeve në Bashkinë e Himarës, i cili u bë më 4 gusht.
Deklarata e bërë nga Spiropali ishte një koment me natyrë partiake dhe kishte konsiderata personale.
Ishte hera e parë në 34 vite pluralizëm që një kryetar Kuvendi, përmes një qëndrimi zyrtar në emër të Kuvendit shprehet për një proces zgjedhor, sidomos për një proces zgjedhor lokal që nuk ka lidhje dhe as ndikim në përbërjen e parlamentit.
Sipas Rregullores së Kuvendit, kryetari “përfaqëson Kuvendin, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij. Ai kujdeset për zhvillimin e veprimtarisë parlamentare, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, si dhe për sigurimin e kushteve të nevojshme Kuvendit dhe strukturave të tij”.
Pra Spiropali reagoi si një socialiste, jo si zyrtare e lartë e shtetit.



