Cili është dallimi midis debilit, kaqolit dhe skuthit ? Përgjigjet Umberto Eco

“Në një nga librat e mi e kam shtjelluar tashmë dallimin midis debilit, kaqolit dhe të mefshtit. Kaqoli fare nuk na intereson sakaq, sepse është dikush që në vend që ta shpjerë lugën në gojë, e çon në ballin e vet; fare nuk na intereson edhe ngaqë bëhet fjalë për dikë që nuk kupton çfarë i thua aspak. Rasti i tij është i thjeshtë sidoqoftë. Përkundrazi ndërkohë, të jesh debil, domethënë të ngërthesh një tipar të caktuar shoqëror, që, sipas mendimit tim, mund të cilësohet edhe ndryshe, meqë në disa këndvështrime, kaqoli dhe i mefshti janë të njëllojtë. Debili është ai që dikur thotë pikërisht gjënë më të gabuar. Ai bën gjithnjë gafa të pavullnetshme. Kurse i mefshti është krejt ndryshe. Ngase mangësitë e tij nuk janë shoqërore, por logjike mirëfilli. Në pamje të parë të jep përshtypjen se arsyeton korrektësisht; prandaj vështirë ta vëresh që nuk është kështu vërtet. Prandaj i mefshti është i rrezikshëm thelbësisht. Për të dhënë një shembull në këtë këndvështrim, i mefshti pohon se tërë banorët e Pireut janë athinas. Pastaj gjithë athinasit janë grekë. Rrjedhimisht krejt grekët qenkan banorë të Pireut, sipas tij. Njeriut i lindin menjëherë mëdyshje se diçka çalon, ngaqë e dimë se ka grekë edhe në Sparta, për shembull. Ndonëse nuk di ta shpjegosh menjëherë ku e përse i mefshti e ka gabim. Sepse duhen njohur rregullat e logjikës formale. Për këtë arsye mendoj se nevojitet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë të mefshtëve”.

Umberto Eco

Përktheu nga italishtja:
Elvi Sidheri

Latest articles

Related articles