Vula, ky institut i moralit politik! – Koment Av. Besart Logu

Shoh disa ish eksponentë të lartë të PD që kanë ndryshuar kurs 180° në raport me qëndrimet e tyre të mëparshme, diktuar kjo nga vendimi i Gjykatës së Apelit që legjitimoi Berishën si kreun e PD. Disa artikulojnë teza ojf-iste të tipit “jemi kundër kryetarokracisë” e disa të tjerë shkojnë edhe më tej, duke ngritur akuza se “Basha ka qenë dhe është në funksion të Berishës”.

Gjithkush është në të drejtën e tij të artikulojë çfarë të dojë por që nisma e re të ngjisë në opinionin publik, sidomos ndër demokratë, duhen ruajtur dy elementë shumë të rëndësishëm: koherenca dhe morali. Kështu, një ndryshim i tillë drastik të imponon ngritjen e disa pyetjeve që sqarojnë faktin politik: kur e konstatuat pushtetin absolut të kryetarit (Lulzim Bashës)? Po lojën e dyfishtë të tij me Berishën? Pse nuk e ndërmorët aktin e ndarjes prej tij para humbjes së vulës?

Dikush mund të thotë se këto shqetësime janë ngritur në mënyrë informale dhe në nivel kafenesh por këto nuk janë akte politike, janë thashetheme koridoresh. Prandaj ngritja e partisë së re mbi këto argumente e ka fatin e paracaktuar, është e destinuar të dështojë. Nëse goditja e kryetarokracisë dhe distancimi nga “loja” e Bashës do të bëhej kur ai gëzonte legjitimitetin e kreut të PD, atëherë po, do të kishim akt politik të mirfilltë, që përcillte moral dhe që shtrihej në koherencë të plotë duke gjetur mesin e artë ndërmjet parimeve mbi të cilat funksionojnë dhe fenomenit që denoncojnë.

Të godasësh Lulzim Bashën sot, në momentin më kritik të tij, flet shumë më shumë nga sa pretendohet publikisht.
E para, tregon nivel të lartë mosmirnjohje sepse e ke mbështetur atë vetëm kur ishte i fortë dhe legjitim. Pra, kur kishte çfarë të të jepte. E në momentin kur nuk i gëzon këto dy cilësi jo vetëm e braktis por edhe e godet.
E dyta, kjo sjellje tregon se sa të dobët janë. Godasin dikë në një moment që shënon mbase kurbën më të ulët të karrierës politike të tij. Dhe kjo është në kufijtë e pabesisë. Kështu ngrihen edhe pritat, ku shfryrëzohen momentet kritike me qëllim pasjen rezultat në goditje.
E treta, ky akt tregon paqëndrueshmëri në atë çfarë ke thënë e synuar të bësh. Lufta kundër berishizmit ishte një vullnet për ta kaluar Partinë Demokratike në një stad tjetër më të avancuar, në të menduarit dhe bërit politikë, të organizimit dhe drejtimit të partisë, si dhe të një qasje tjetër ndaj qytetarit, duke përmbyllur kështu një periudhë në PD me uljet dhe ngritjet e saj dhe duke hapur një cikël të ri siç mund të ndodhë normalisht në një parti politike. Thënë ndryshe, ishte diçka që nisi dhe duhet të mbaronte në PD dhe për PD. Partia e re, del kundër logjikës dhe frymës të luftës së pretenduar, asaj kundër berishizmit. E lë PD aty ku ishte dhe ashtu si ishte. Është totalisht ndryshim kursi sepse luhet vetëm për një ose dy ulëse në parlament e në këtë mes nuk ka asgjë parimore dhe se lufta kundër berishizmit i bie të ishte loja.

Sa më sipër dhe për mbyllje, që në momentet e para të artikulimit të idesë për krijimin e partisë së re, kam qenë kundër. Pashë që po tentohej të luhej me emocionet e humbjes së gjyqit. Sot, kur jo vetëm unë por të gjithë logjikojnë ftohtë, për më tepër kur dëgjojmë arsyet se pse u dashka partia e re, po refuzohet në masë çka e gjithë kjo zhurmë do të përfundojë në “parti e mbetur në tentativë”.

Latest articles

Related articles