Ligji për Komisionet Hetimore. Çupi: Gjykata Kushtetue pranoi kërkesat e opozitës

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar një sërë nenesh në ligjin për komisionet hetimore të miratuar në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste në mes të aksionit të opozitës.

Sipas kushtetueses fillimisht ligji duhet t’i japë alternativë opozitës për objektet hetimore. Përkatësisht nëse shumica nuk bie dakord për objektin atëherë ligji duhet ta specifikojë edhe mundësinë e objektit alternativ.

Ndryshime janë bërë edhe tek marrja e provave ku ligji i miratuar nga socialistët thoshte se shumica mund ta rrëzojë kërkesën për prova pa arsye.

Ndërkohë Gjykata Kushtetuese thotë se shumica mund ta rrëzojë kërkesën vetëm me arsyetim të mirë ligjor dhe jo thjesht me ngritje kartonësh.

Deputetja demokrate Dhurata Çupi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi ndryshimet e njëanshme të ligjit për komisionet hetimore.

Çupi shkruan se vendosja e ngritjes së komisioneve hetimore nën kontrollin e mazhorancës dhe pamundësimi i kryerjes së një kontrolli efektiv të qeverisjes nëpërmjet komisioneve hetimore janë antikushtetuese.“Vendimi i sotëm konfirmon se beteja 5-mujore e Grupit Parlamentar të PD-së për të drejtat kushtetuese të opozitës, të mohuara arbitrarisht nga mazhoranca, ishte i drejtë. Kënaqësi që së bashku me avokatin Marash Logu përfaqësuam këtë kauzë të drejtë të opozitës në gjykimin kushtetues”, shprehet Çupi

Latest articles

Related articles