Mashtrimi 7 milionë euro me call-centerat, 11 vite burg për pronarin e bashkëpunëtorin! Operatorët të pafajshëm

GJKKO ka marrë vendimin për të dënuar me 11 vite burg, Erjon Kasmi i cili është organizatori i skemës mashtruese të call center.

Gjykata po ashtu ka marrë vendimin edhe për 12 pandehurit e tjerë.

Kujtojmë që nga kjo skemë mashtrimi qindra shtetasve në BE i është shkaktuar një dëm prej 7 milion eurosh.

Nga hetimet e procedimit penal të vitit 2021 ka rezultuar se shtetas gjermanë, francezë, italianë, spanjollë dhe grekë ftoheshin nga agjentët e subjektit Bluenergycall sh.p.k., shoqëri me lidhje me Kasmin dhe Xhafën, që të investonin në bursa ndërkombëtare, duke bërë depozitimin e parave sipas udhëzimeve të agjentëve, në platformat mashtruese.

Këto depozita nga viktimat bëheshin në llogari të cilat kanë rezultuar se gjenden në banka të vendeve të ndryshme si në Bullgari, Lituani, Poloni, Qipro, ku më pas zhdukeshin nëpërmjet transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë.

Sipas prokurorisë, është provuar se një pjesë e parave të depozitave të viktimave kanë përfunduar në llogaritë e të pandehurve në Shqipëri.

Njoftimi për mediat:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë11.2023 Nr. Regj.Them. 38/123, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt: Gjykimin e çështjes penale në lidhje me procedimin penal nr.300 të vitit 2021 ndaj të pandehurve: Erjon Kasmi, Xhulian Xhafa.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj Erjon Bani dhe Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 190, 379, 380, 389, 380, 388 të Kodit të Procedurës Penale dhe neneve 1/c, 28/4, 47-50, 55, 143/b/2, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal, me vendimin Nr. 43, datë 08.07.2024, vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Erjon Kasmi për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 143/b, pg 2, në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Erjon Kasmi, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, pg 1 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Erjon Kasmi dënohet me një dënim të vetëm prej 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim.

Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Erjon Kasmi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 7 (shtatë) vite e 4 (katër) muaj burgim.

Llogaritja e dënimit fillon nga data e arrestimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Erjon Kasmi do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Xhulian Xhafa për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 143/b, pg 2, në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 10 (dhjetë) vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Xhulian Xhafa, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, pg 2 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Xhulian Xhafa dënohet me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vite burgim.

Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Xhulian Xhafa i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 (gjashtë) vite e 8 (tetë) muaj burgim.

Llogaritja e dënimit fillon nga data e arrestimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Xhulian Xhafa do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”

Latest articles

Related articles