nga Kimete Berisha
- Shqiptarët e Greqisë ishin përmalluar shumë që të jenë shqiptarë.
Nuk e kanë pasur të ndaluar të jenë shqiptarë, por shpirti i ëmbël, janë detyruar që për bukë goje të heqin dorë nga atdhedashuria, se nuk jetohet veç nga dashuria… - Se, edhe atëherë kur osmanlinjtë e sollën Zotin e Lindjes tek shqiptarët, shqiptarët kanë pritur në rend për ta ‘ndërruar fenë’, se oferta shumë e volitshme ‘ndërroje Zotin, në daç të paguash më pak tatim’!
- Ka kaluar shumë kohë që kur shqiptarët nuk kanë pasur nevojë të jenë shqiptarë.
As tash s’kanë nevojë, por për hatër të Edi Ramës që e kanë lëshuar nervat e po qan…
kanë pranuar që për një orë të çarten për Shqipërinë, të cilën e duan shumë por jo nga afërsia se Shqipëria nga afër ta hanë ymrin. - Për ta pushtuar diasporën, Edi Rama ka marrë yrnek nga Albin Kurti: peshkun në det, e fulterja në zjarr!
- Ta udhëheqësh Kosovën dhe Shqipërinë me ‘popull të huazur’ nga diaspora kjo është ‘aha moment’.
- Ne jemi mësuar me qeverinë Bukoshi (që na plaçkiste para luftës), por atëherë qeveria ka qenë në mërgim, e populli nën pushtuesin serb, duke e mbajtur qeverinë në ekzil me pare, dhe njëherit duke ia paguar tatimet pushtuesit.
- Edi Rama është i sinqertë kur shpartallohet në dashuri, sepse vërtetë e ka zbuluar dashurinë.
Për të, dashuria është ndjenjë ‘e re’.
Sa e mirë….! - Ama, ti mos u bazo në mua se mua secilën herë vjen duke m’u dukur edhe më qesharake kjo ‘dashuria’ që në vend se të të bëj të mençur, ti merr mendtë.
- Edi Rama u ankua pse shqiptarët nuk kanë pasur fat të lindin nën mbrojtjen e kryqit të bardhë, demek si krishterët…
që kryqi as nuk është simbol që e ka mbrojtur Jezusin nga torturat…
po lëre ti,
se shqiptarët e varfër e kanë lënë kryqin për hënën e re…dhe tash ankohen që s’i mbron kryqi (që e kanë
braktisur), dhe që s’ju del boll as hëna e re. - Edi Rama e kish zbuluar një grua që ka luftuar për pavarësinë e Greqisë. Bubulinën.
Tha se e ka çliruar Greqinë para se ta çlironte veten. - Bubulina ka luftuar për të mirën e ‘armikut’, pra, kjo është sikur ta lavdërojmë ne një shqiptar që ka luftuar për pavarësinë e Serbisë.
- Prejardhja dhe përktësia etnike nuk të jep vlerë, por vepra.
Vepra e Bubulinës është për të mirën e Greqisë, prandaj nuk quhet heroinë shqiptare. - Është njësoj sikur unë të shkruanja serbisht…apo si Bekim Fehmiu që ka qenë aktor i kinematografisë serbe (nuk ka luajtur në filma shqip), ama ne e nderojmë shumë që e ka zhvilluar kinematografinë e Serbisë e shqip s’ka luajtur asnjëherë se shqiptarët katundarë, nuk dijnë çka është filmi…
Mirë e ka pasur. - Pasi që recitoi me afsh, Edi Rama vazhdoi t’i numërojë shqiptarët që janë flijuar për Greqinë.
I tha Greqisë që edhe Naim Frashëri ka shkruar poezi në greqisht! - A thua pse ka shkruar në greqisht?
Pse e ka shfaqur dashurinë ndaj Shqipërisë në gjuhën greke! - Mirë ka vepruar!
- Pasi u pakë në skenë, Edi Rama u përkul para popullit!
U përkul sepse ashtu duhet.
Si burrat që derisa të shtijnë në
dorë përkulen, e pastaj zhduken… - Çfarë fitoi që u përkul?
Dashurinë e shqiptarëve të Greqisë, e fitoi!
E….Çka është ajo?
Çka i duhet?
Çka bën me të!
Kujton se shqiptarët e Greqisë janë ushtarët e tij?
Ushtria është obligim, e dashuria s’është! - E, meqenëse kjo dashuria zgjat shkurt, shqiptarët e kanë harruar atë dashuri të nesërmen rreth orës 12.
- Nëse nesër shkon në Greqi një politikan tjetër dhe i tubon shqiptarët e Greqisë me të njëjtat pallavra, ata do të shkojnë pas tij…se puna është që ata i kanë ndryshuar emrat e tyre për t’u përshtatur e s’po e ndryshojnë emrin e Edi Ramës.
- Nuk i besohet dashurisë.
Se që thoshte Maki ‘dashuria është punë qejfi, nëse ka qejf të do – nëse s’ka qejf s’të do’. - Prandaj, Edi Rama duhet të jetë i frikshëm e jo manjak romantik që qan në skenë për një dashuri palidhje që askush nuk është kah ia merr.
- Për ta zbritur në tokë, Linda Rama e përqafoi burrin e saj Edi Ramën.
Pamje rrënqethëse kjo, që tregon se gruaja e përqafon burrin! - Përkulja e Edi Ramës para shqiptarëve të Greqisë ishte përkulje humoristike, sepse përkuljen e realizoi me patika të bardha.
- Përkulja është akt solem, gjest shumë serioz, prandaj lyp këpucë të zeza pa shkëlqim, këpucë të reja por që duken të vjetra.
- Dashuria gjithmonë e bën Edi Ramën të duket qesharak.
P.S. S’Agapo.