Një i ri shqiptar është arrestuar me drogë nga policia irlandeze, dhe dyshohet se është pjestarë i një bande kriminale që merret me trafikun dhe shpërndarjen e drogës.
Bëhet fjalë për shtetasin Ergis M. i cili kishte porositur drogën nga grupi kriminal përmes një pakoje të kamufluar.
Sipas mediave vendase vlera e drogës që ndodhej brenda pakos nëse do të shitej ishte 119,736 euro.
Ergisi ka pretenduar fillimisht se ishte i pafajshëm, duke thënë se kishte marrë si dhuratë një televizor, por më vonë ai ka pranuar se brenda pakos ishte drogë dhe ishte i detyruar ta merrte pasi personit që ia kishte dërguar pakon i kishte një borxh prej 15 mijë euro. Sipas tij ky borxh duhej shlyer duke marrë pakon.
Metaj kishte shkuar në Irlandë me gruan e tij, duke kërkuar azil. I pyetur nga gjyqtari se cila ishte baza e tij për të kërkuar azil në Irlandë, Ergisi u përgjigj se kishte një problem me njerëzit në Shqipëri lidhur me fenë e familjes së gruas së tij.
“Nën çfarë lloj kërcënimi jeni?”, e pyeti gjykatësi.
“Ka të bëjë me seksualitetin tim. Unë jam biseksual”, u përgjigj Ergisi.
Prokurori tha gjykatës se kishte një urdhër dëbimi për të pandehurin dhe do të hynte në fuqi kur të skadonte çdo dënim i shqiptuar.