Shkëputja e një depozite uji nga një pallat 14-katësh në lagjen nr.11 në Durrës fatmirësisht nuk ka shkaktuar persona të lënduar.
Depozita që ka ngecur në degët e një peme është konstatuar nga efektivët e Policisë Bashkiake mëngjesin e sotëm, të cilët menjëherë kanë vendosur perimetrin e sigurisë.
Dyshohet se depozita është shkëputur nga godina shumëkatëshe gjatë mbrëmjes së të dielës, kur qyteti i Durrësit u përfshi nga një stuhi e shoqëruar me erë të fortë.
U desh ndërhyrja e një vinçi të Ndërmarrjes Rruga për të larguar depozitën.
Në Durrës, depozitat e ujit të vendosura në taracat e pallateve kanë qenë një shqetësim që prej vitesh nuk ka gjetur zgjidhje.
“Këta s’po i heqin, thanë që do t’i hiqnin. Ato përbëjnë rrezik shumë të madh. Nuk është puna e një apartamenti, këtu është gjithë Durrësi me depozita. Në kohën e tërmetit, depozita e një komshiu më ra tek këmbët, shpëtova kot”,– thotë një qytetar.
“Janë rrezik, mirë është t’i heqin të gjitha. Por të zgjidhet fillimisht problemi i ujit, të furnizohemi 24 orë dhe pastaj të hiqen”,– shton një tjetër qytetar për.