Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka arritur të hënën pasdite në Kosovë, ndërsa do të takohet me presidenten dhe kryeministrin e Kosovës – Vjosa Osmani-Sadriu dhe Albin Kurti – ku pritet të adresohet rrjedha e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi – dy fqinjëve armiqësorë që assesi të dalin nga situata parakonfliktuale.
Stoltenbergu ka mbërritur në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar në Merdarë, ndërsa forca të shtuara të KFOR-it janë vendosur mbi Urën e Ibrit për shkak se ai pritet t’u adresohet komandantit të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe paqeruajtësve për një fjalë rasti në kampin “Nothing Hill” në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Ai do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të një turneu katërditor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjatë së cilit ka qëndruar edhe në Bosnjë-Hercegovinë, ndërsa pas Kosovës, pritet të udhëtojë drejtë Serbisë dhe Maqedonisë të Veriut, për të diskutuar për bashkëpunimin dypalësh me liderët rajonalë dhe situatën e rënduar të sigurisë në rajon.
Vizita e Stoltenbergut në Kosovë duhet parë jo si një vizitë e rëndomtë, por si një vizitë e rëndësishme në një momentum të ri gjeopolitik, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë dhe sidomos pas përpjekjeve të shtuara të Rusisë që nëpërmjet Serbisë të shtrijë ndikimin në këtë rajon të ngjeshur nga tensionet.