Parlamentarizmi është zhvilluar në Angli. Prej vitit 1215 kur “opozita” i imponoi mbretit Xhoni I atë që njihet si Magna Charta Libertatum, bota ka parë si është zhvilluar parlamentarizmi në mënyrë dinamike e interesante.
Elisabeta I në fundvitet 1500 kur parlamenti iu rebelua për çështjen e monopoleve tregtare të kurorës, shkoi në parlament dhe iu tha deputetëve: “Vërtet sundimi im është i përzgjedhur nga Zoti por sundimi im ska kuptim nëse nuk gëzoj dashurinë tuaj”.
Moment kulmor është ekzekutimi në vitin 1649 i mbretit Çarli I nga “forcat parlamentare” për shkak të konfliktit mbret-parlament sepse Çarli I i pati vënë drynin parlamentit. Duke pamundësuar parlamentin, Çarli I i kishte pamundësuar ekzistencën opozocionit.
Mbreti është qeveria sot. Parlamenti është opozita dhe mjet i opozitës. Qeveria qeveris edhe pa parlament. Ndërsa opozita, nëse mbetet pa parlament është rrugëve, dobësohet e shuhet.
Asnjëherë parlamenti ska qenë jetik për qeverinë por tanaherët ka qenë jetik vetëm për opozitën. Parlamenti është pronë e opozitës.
Sot në vitin 2023 ka dy javë që Sali Berisha e bllokon parlamentin e nuk lejon që nga foltorja e parlamentit të flitet, të kërkohet llogari, të lëshohen akuza, deputetët të performojnë, të bëhen të pëlqyeshëm në popull; ta detyrojnë Edi Ramën të shkojë në parlament e të mohojë akuzat e opozitës, prej frikës se opozita duke performuar mirë, mundet tia delegjitimojë pushtetin qeveritar.
Opozita kërkon gjithmonë mënyra për ta delegjitimuar pushtetin e qeverisë.
Krijimi i malit me karrige midis parlamentit, nuk e delegjitimon pushtetin e Edi Ramës. Mali me karrige delegjitimon vetëm vetë opozitën.
Me krijimin e malit në parlament, Berisha me deputetët e tij nuk arrijnë asgjë, asnjë synim politik. As komisione hetimore, asgjë. Në vend që atë që Rama spo ua lejon ta thonë me komision hetimor parlamentar ta thonë nga foltorja e parlamentit, ata bllokojnë foltoren e nuk thonë asgjë.
Duke krijuar malin me karrige midis parlamentit, nuk i prishet ndonjë punë Edi Ramës! Mos mendoni se Rama nuk dëshiron që të bllokohet foltorja e parlamentit. Ai atë dëshiron, parlamentin jofunksional.
Për qejf ai i vë kyçin derës së parlamentit, vetëm që ajo foltore të mos funksionojë dhe deputetet të mos flasin e të mos ia delegjitimojnë qeverisjen.
Mendojeni pak, çfarë pune i prishet Edi Ramës kur bllokohet foltorja e parlamentit? Asnjë punë.
Pushtetin e vet ai e ushtron nga zyrat e kryeministrisë e nuk ka nevojë për parlamentin. Parlamenti është pushteti i opozitës. Për parlament funksional ka nevojë vetëm opozita.
Duke bllokuar parlamentin i paksohet pushteti opozitës, jo qeverisë. Ndaj Edi Rama më shumë preferon që Berisha të krijojë malin e tij me karrige midis parlamentit e hipur mbi të të vikasë për revolucion, sesa foltorja e parlamentit të jetë e lirë, deputetët të flasin e tia delegjitimojnë qeverisjen.
Rama nuk mundet ta kyçë parlamentin e as tia bllokojë punimet e funksionet sepse nuk ia lejon rendi europian – se për qejf e kyç. Ndaj kur e bllokon Sali Berisha ai ska asgjë kundër sepse parlamenti nuk i nevojitet.
Berisha, duke bllokuar parlamentin, nuk po e merr i Ramës diçka që Ramës i nevojitet. Ndaj Rama spo lufton për ta bërë parlamentin funksional. E lë ashtu.
Parlamenti i Shqipërisë është shkatërruar në mënyra të ndryshme. Mbas vitit 1991 e deri në 2021 kur është caktuar legjislatura e tanishme, parlamentin e kanë defunksionalizuar edhe kryetarët e partive, duke caktuar deputetë injorantë ose duke caktuar deputetë në këmbim të parave për mandatin. Edhe kjo është formë e shkatërrimit të parlamentarizmit.
Mund edhe ta hedhin në erë parlamentin me tritol, qeveria do të vazhdojë të ushtrojë pushtetin, do të mbledhë taksa, do të shkruajë gjoba, do të bëjë tendera. E vetmja rrugë për ta delegjitimuar qeverinë është performanca nga foltorja e parlamentit dhe të fituarit e pëlqyeshmërisë publike, bërja të pëlqyeshëm nga njerëzit.



