nga Indrit Vokshi
Në vitin 1795 Franca u qeveris nga Direktorati, qeveria prej 5 vetësh. Kjo ishte forme krejt e re qeverisjeje për Francën tradicionalisht e thellësisht monarkiste. Formë e pa parë por edhe e pa dëgjuar (deri me Kromuell) për ata shekuj.
Direktoratin e themeloi Revolucioni Francez kur u rrëzua pushteti tradicional; u rrëzuan mbreti, kleri e aristokracia të cilët kishin qenë përherë pushteti.
Çka ishte element dallues i revolucionit gjakatar francez ishte pasiguria e secilit. Askush, sado i fortë, nuk ishte më i sigurt. As vetë Robespieri, “murgu asketik” i republikës. E monumentalizoi Sijeji atë gjendje kur e pyetën çfarë bëre ti gjatë Revolucioni e ai u përgjigj: “Unë ndejta gjallë, nuk është pak”.
Nëse bëjmë krahasim me Shqipërinë, amerikanët në Shqipëri kanë bërë revolucion kundër pushtetit tradicional. Reforma në Drejtësi është Revolucion sepse ajo ka çmitizuar paprekshmërinë tradicionale të pushtetit tradicional. Tashmë idhujt janë të prekshëm. Dhe këtu nuk e kam fjalën posaçërisht për ish kryeministrin Sali Berisha.
Përkufizimi klasik për zakonin është ky: “Kur një sjellje përsëritet, vazhdimisht e për kohë të gjatë, ajo sjellje bëhet zakon, fiton statusin e zakonit”.
Zakoni i vjedhjes me shtet në Shqipëri është i kudondodhur dhe në çdo instancë. Miti i vjedhësit të paprekshëm, miti i personit që bën gjithçka e nuk i ndodh asgjë, ka zënë vend kudo; nga punonjësi i Gjendjes Civili i cili ka marrë para për tiu ndërruar emrat personave në kërkim, nga regjistruesi i pasurisë i cili ka regjistruar pronën e vjedhur, nga oficeri i policisë i cili lajmëron krimin për çdo levizje të shtetit, nga oficeri i tatimeve i cili merr lek në dorë e nuk mbledh tatimet, deri tek oficeri i policisë gjyqësore i cili bashkë me prokurorin, “grisin fletë” nëpër dosje duke shkatërruar provat, deri tek dhjetra e qindra zyrëtarë shtetërorë të cilët sot nuk munden t’i mburren askujt se nuk ka për tiu ndodhur gjë.
Sot janë kryetarët e bashkive në burg e në SPAK, drejtorët e përgjithshëm, ministrat, politikanët në antkh, duke jetuar me frikën e burgosjes.
Aristokracia e kësaj kohe është klasa politike, ata mbajnë gradat informale të privilegjeve, ata kanë pasur privilegjin informal se nuk i kap ligji. Direktorati i SPAK ua ka hequr këto grada.
Kisha e kësaj kohe është media e cila është vitrina e pushtetit të madh financiar. Revolucioni e ka goditur ketë kishë duke e shpallur nongrata dhe duke ia bërë të qartë se do të ketë procedim penal edhe për ta.
Kështu që kleri i kësaj kishe, pra analistët, çdo ditë e çdo natë dalin në mbrojtje të “aristokracisë dhe të kishës”, në mbrojtje të politikanëve dhe të pronarëve të medias, madje edhe të krimit të organizuar. Thuhet një shprehje për Mesjetën kur pushteti kishte aleancë me klerin: “Pushtetit i nevojitet martesa me fenë, për t’i dhënë pushtetit fytyrë sa më njerëzore”. Sepse fytyra e vërtetë e pushtetit është jonjerëzore dhe klerikët, duke folur me gjuhë fetare, duke përdorur fjalët “mëshirë”, “falje”, “drejtësi”, arrijnë t’i paraqesin sundimtarët si njerëzorë.
Analistët e Shqipërisë, si klerikët e këtij sistemi, dalin edhe ata flasin me gjuhë “fetare”. Fytyrën jonjerëzore të politikanëve dhe të pronarëve të medias, fytyrën jonjerëzore të pushtetit të ndërtuar mbi vrasje, grabitje të pronës, privatizim antiligjor, kontrabandë, trafik droge, vjedhje të taksave e tatimeve, ata duan të na paraqesin si fytyrë njerëzore, duke lidhur i duke i asociuar ata me fjalët “liri”, “demokraci”, “votë”, “sovranitet”, “ligj”, “të drejta”.
Ata na e përshkruajnë SPAK-un si diçka të keqe e monstruoze, si diçka armiqësore e të dëmshme. SPAK mund të jetë i keq e armiqësor por jo armiqësor me interesat e shqiptarit të thjeshtë. Shqiptarit, qytetarit shqiptar, SPAK-u nuk po i shkakton asnjë të keqe, nuk po i shkel asnjë të drejtë, nuk po i grabit asnjë liri. SPAK është i keq për klasën politike, pushtetin financiar e mediatik dhe për krimin e organizuar. E klerikët, analistët, kur na thonë se SPAK është i keq, ata po na flasin me zërin e politikanëve dhe bosëve të medias e financave, spo na flasin me zërin e shqiptarit të thjeshtë.
Interesi i shqiptarit të thjeshtë nuk është që politikanët dhe zyrtarët e shtetit të jenë të paprekshëm. Përkundrazi, shqiptari ka interes që ata të jenë sa më të prekshëm sepse paprekshmëria e atyre ka qenë dhe mbetet katastrofa e shqiptarit dhe e Shqipërisë.