Sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho ishte e ftuara e radhës në episodin e katërt të sezonit të dytë të Podcastit “Flasim”.
Jaho është shembulli që mishëron të vërtetën se kur njeriu e sheh me sy hapur një ëndërr, sado e madhe ajo të jetë, nëse ka të gjitha fuqitë e brendshme për ta ndjekur, arrin ta realizojë.
E pyetur mbi vendosmërinë për të prekur skenat më prestigjioze të botës, Jaho tha “nuk ka formulë”.
“Formula e vetme është diçka e brendshme, është ajo energjia, ajo flaka që secili prej nesh ka kur i vë qëllim vetes. Me një punë të jashtëzakonshme sepse dhe ëndrra më e bukur, edhe ajo që duket diçka e jashtëzakonshme, le të themi, do një punë shumë të madhe sepse po të kapeshin ëndrrat kaq kollaj, nuk do të kishin këtë magji. Unë e kam dashur jashtë mase. Ndoshta me kalimin e kohës kam kuptuar që këndimi ka qenë kanalizimi ku unë kanalizoja ato ndjenjat e mia të thëna, të pathëna ku fantazia fluturon dhe nuk ka limit”, shtoi ajo.
Jaho solli në vëmendje realitetin me të cilin ndeshej çdo ditë ku askush nuk besonte në ëndrrën dhe ambicien e saj si dhe punën e madhe që ka bërë për të arritur aty ku donte.
“Të kishe një klasë me pianoforte ishte e pamundur kur studioja unë në Lice, madje unë mbaj mend që zgjohesha që në 5 të mëngjesit, kush ngrihej i pari me pastruesen të hapte derën e Liceut dhe kush arrinte i pari të kapte një klasë me pianoforte. Ndonjëherë, kur dera ishte e mbyllur, hipja nga dritarja, nja dy herë kam grisur pantallonat, por ishte ajo dëshira e madhe. Nuk ka asgjë që të ndalon sepse e doja, ishte një nevojë shpirtërore”, tha ajo.
“Kam mbajtur një ditar. Duke u kthyer tani, e lexoj, ky është një Notebook që janë bërë ato faqe sikur ka një histori shekullore, por është sepse është shkruajtur në çdo lloj momenti, kur kam qarë, kur kam qenë e trishtuar, e gëzuar, kur kam qenë me bukë në dorë duke shkruar dhe kur e lexoj tani prekem, por dhe jam shumë krenare sepse të gjitha, sikur është kthyer bota nga ana tjetër, të gjithë ato gjëra që kisha shkruar në fantazi e sipër, të gjitha i kam kaluar. E them këtë jo për të treguar ç‘kam bërë, por është dhe një mesazh të cilëve po ua them dhe studentëve tani – sepse jam duke bërë një workshop, të katërtin, – që asgjë nuk është e pamundur. Ëndrrat në momentin që i sheh me sy mbyllur dhe me sy hapur, ti i sheh me të vërtetë”, shtoi ajo.
“Është sikur universi e shtyu këtë ëndrrën time se të ndihmon, kur e do diçka me shpirt në mënyrë patologjike, do e thoja, është një lloj energjie. Unë besoj shumë në energji sepse Universi është me energji”, tha ajo.
“Kam pasur edhe unë momente shumë të vështira që thoja ta lija fare, por ndonjëherë koha teston pasionin, sidomos në momentet më të vështira. Është ai kërkimi, ishte diçka që mund të rrija një natë, dy netë të flija gjumë që “Do ta lë tani” se njeriu dëshpërohet për shumë arsye, gjëra e arsye subjektive dhe objektive, por është ai zjarri, diçka brenda që nuk të lë dhe është një kërkim i vazhdueshëm që bën”, u shpreh Jaho.
“Mund të japësh çdo lloj ekspresioni edhe një të qarë edhe një të qeshur nëpërmjet zërit, por është gjithë trupi që e mbështet. Ky është mikrofoni yt, i gjithë trupi sepse këndimi është diçka shumë emotive, shpirtërore dhe çdo lëvizje trupi që ne bëjmë ka një domethënie dhe jam shumë diligjente në mënyrë patologjike që shoh çdo lëvizje, jam në studim e sipër kur del tingulli. Është një punë që nuk mbaron asnjëherë dhe është diçka e përditshme. Unë para dy ditësh këndova La Rondine një opera e Puçinit dhe ishte shfaqja e katërt. Dhe kam 30 vjet që jam në skenë. Përsëri ditën e shfaqjes vajta tre orë përpara, duke bërë ushtrime për të gjetur ato gjërat e reja atë ditë, sepse trupi jonë nuk ndryshon përditë sidomos tek këngëtarët dhe duke qenë diçka fizike duhet të gjesh më të mirën. Nuk duhet të zbresë ai standardi yt. Nuk do jesh 100% por në momentin më të vështirë nuk duhet të zbresë poshtë 70%”, theksoi ajo.
Jaho foli edhe për përgatitjen fizike, që sipas saj e ndihmon që të qëndrojë pas 30 vitesh prapë me një repertor shumë kërkues, shumë impenjues, një repertor që kërkon fizikun dhe fuqinë e një 20-30 vjeçari.
“Për shembull 500 kërcime me litar çdo mëngjes! Ajo është kafja ime. Sepse është kapaciteti i mushkërive që ndihmon në këndim dhe rrit atë staminën se je atlet. Sidomos sot Opera ka arritur në një dimension tjetër. Ti je një atlet, duhet të jesh një aktor dhe gjërat, ritmi është aq intensiv sa ti nuk ke kohë as të marrësh frymë dhe përgatit trupin, zëri etj, por sidomos ana fizike që ndihmojnë jashtë mase”.
Jaho tha se ka studiuar po ashtu foniatri, një degë e mjekësisë që merret vetëm me këndimin si profesion.
“Kjo është një diçka që mungon në të gjitha shkollat dhe është shumë e rëndësishme sepse ti nuk njeh instrumentin tënd. Unë këtë gjë e fillova faktikisht kur kam pasur një moment krize që nuk më përgjigjeshin. Kemi ato momentet që prek një çikë fundin dhe thashë para se ta lë, janë ato momentet e vështira. Janë muskujt e qafës. Gjithmonë këngëtari është i shtrënguar se është dhe emotive. Nganjëherë muskuli i qafës, janë disa ushtrime që bëhen dhe me peshat ose ushtrimet e frymëmarrjes, që unë këtë bëj. Iu them dhe këngëtarëve që mund të kesh një zë, nuk po them të vogël, një zë modest, një zë të zakonshëm, por mund të bësh gjëra të jashtëzakonshme. E jashtëzakonshmja është ai pasioni se duhet të vësh shpirtin një herë. Janë këto ushtrimet që le të themi kanë funksionuar për mua nga ana teknike që më mbajnë akoma në formë dhe shoh që ju shërben dhe këngëtarëve të rinj”, tha ajo.
Duke folur për karrierën, Jaho tha se “po notoj në një repertor me një gamë më të gjerë dhe deri tani është në rrugë të mirë”.
“Qëllimi tjetër është që sa herë ngjitem në skenë nuk dua pas 30 vjetësh, të jetë thjesht një performancë e bukur me standing ovation etj etj, po dua të jetë një rrugëtim shpirtëror sepse janë ndjenjat humane, universale të çojnë në një dimension tjetër që zbulon një botë tjetër të shpirtit human, që kalon mbi notat, mbi atë suksesin e madh. Ka një lloj magjie që nganjëherë bëhet edhe një lloj droge, se nuk është se gjithmonë do ta kapësh, se varet edhe nga loja e skuadrës, sepse ka atë efektin magjik kur të gjithë kemi atë hapje mendore dhe shpirtërore për të vajtur në atë direksion. Të jetë një udhëtim shpirtëror”, tha ajo