Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Zagrebi ku ndodhet për vizitë zyrtare, lidhur me situatën në veri të Kosovës se “jemi shumë të keqardhur për një zhvillim të tillë, i cili e çon pas procesin e normalizimit dhe vazhdojmë të jemi të bindur që e vetmja rrugë është dialogu, ndërveprimi në procesin e mbështetur nga BE-ja dhe SHBA dhe pa diskutim jo shfaqjet e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, të cilat vetëm nxisin tensione dhe rrisin frymën e ndasive të cilat ne duhet të kurojmë”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, Kryeministri Rama tha se “Shqipëria, të paktën për herë të parë në 10 vitet e fundit, të mos linjëzohemi me një deklaratë të politikës së jashtme të BE-së e cila ishte një deklaratë që pasonte takimin mes dy liderëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel për arsye procedurale do të duhej të bëhej publike në të njëjtën kohë që ndodhën zhvillimet dramatike dhe krejtësisht të papranueshme në veriun e Kosovës dhe në Beograd”.
Ne, vijoi Rama, faktikisht shprehëm pamundësinë tonë për t’u linjëzuar me deklaratën, jo me përmbajtjen e saj në vetvete, por me faktin që e nxjerrë në atë moment, kur ndërkohë ishte e domosdoshme të lexohej e dëgjohej një qëndrim po ashtu i qartë e i prerë ndaj Serbisë, për këto zhvillime, deklarata nuk mund të mbështetej prej nesh.
Kryeministri Rama u shpreh se “nga ana jonë e ne konsiderojmë se të dyja, e para, vrasja e një efektivi të Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal i armatosur gjer në dhëmbë i veshur ushtarak në territorin e Republikës së Kosovës dhe zija kombëtare e shpallur në Beograd për anëtarë të këtij grupi që u eliminuan nga forcat e sigurisë së Kosovës janë të pajustifikueshme, të papranueshme dhe të dënueshme në të gjitha nivelet”.
“Ky është qëndrimi ynë dhe pa diskutim që duke qenë promotor të dialogut të normalizimit të paqes përfundimtare, që kalon nga njohja përfundimtare e Republikës së Kosovës dhe patjetër duke u përpjekur gjithmonë të jemi jo vetëm të drejtë dhe të drejtpërdrejtë, por edhe anëtarë të përgjegjshëm të këtij komuniteti euroatlantik, ne e konsiderojmë këtë zhvillim, këto dy zhvillime, sepse në këndvështrimin tim shpallja e zisë kombëtare duke heroizuar disa persona që ishin të përfshirë në vrasjen e një oficeri policie, të veshur ushtarakisht me uniforma joshtetërore të armatosur deri në dhëmbë e pastaj të eliminuar si kriminelë, është diçka po kaq e rëndë, sa vetë ajo që i parapriu”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “është pozitive që ushtria serbe filloi të zbrapset dhe të tërhiqet, por është shumë negative që ushtria serbe përdoret për shfaqje të tilla që nuk i shërbejnë interesave afatgjata dhe as këtij momenti të rëndësishëm ku i gjithë rajoni të jetë i bashkuar në drejtim të paqes dhe integrimit në BE dhe në komunitetin euroatlantik”.