Begaj: Me gjithë provokimet serbe, Kosova të koordinohet me SHBA-të dhe BE-në

Presidenti i vendit, Bajram Begaj ka deklaruar se pavarësisht provokimeve që vjen Serbia, Kosova duhet të koordinohet me partnerët strategjikë si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për situatën në veri të Kosovës.

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Begaj theksoi se dialogu i “ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është rruga e vetme drejt paqes si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare”

“Bashkërendimi i politikave dhe veprimi i të gjithë institucioneve tona duhet të jetë një objektiv i qëndrueshëm dhe parësor pasi kështu krijojmë të gjitha premisat që faktori shqiptar të konsolidohet si faktor strategjik dhe stabiliteti në rajon. Jashtë vëmendjes nuk mund të mbeteshin zhvillimet në veriun e Kosovës.

Pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës dhe ndërhyrjet hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet një koordinim më i mirë me partnerët tanë kryesorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për të gjitha veprimet e ndërmarra.

Askush nuk mund të vendosë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës por koordinimi me partnerët është i domosdoshëm.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është rruga e vetme drejt paqes si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare përfshirë edhe atë të organizatës së Kombeve të Bashkuara.

E sigurova zonjën Osmani për mbështetjen e plotë dhe angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar me çdo mjet me të gjitha mundësitë e saj në mënyrë konstruktive në funksion të këtij dialogu”, u shpreh Begaj.

Latest articles

Related articles