Plani për një central bërthamor italian në Shqipëri është hedhur në takimin e Melonit me Ramën

Vizita e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, në Vlorë, gjatë 14 gushtit – një vizitë blic – rroku vëmendjen e lexuesve, pikë së parë për faktin se shefja e ekzekutivit italian, u nis me një traget të thjeshtë linje, së bashku me familjen e saj, për në brigjet shqiptare.

Krejtësisht e pazakontë kjo për një lider të një shteti aq të fuqishëm sa Italia.

Megjithatë, pezull në ajër mbetën hipotezat mbi çfarë mund të jetë folur mes dy krerëve të qeverive respektive, në një kohë kur “rivaliteti” online është ai i dy vendeve turistike, të cilat japin e marrin turistë njëra me tjetrën, me Shqipërinë tejet të avantazhuar për shkak të çmimeve këtë vit.

Por, sipas gazetës italiane “Quotidiano Nazionale”, kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi mes Ramës e Melonit, është diskutuar shumë më shumë.

Së pari, një hipotezë e investimeve në fushën e energjisë, ku është hedhur në tryezë edhe ndërtimi i një centrali bërthamor italian në territor shqiptar.

Në Itali, ndërtimi i një të tilli është i pamundur, pasi me referendum është e ndaluar. Por, një ofertë joshëse do të ishte ajo e investimit në tokë shqiptare për një impiant të tillë.

Temë po ashtu ka qenë edhe e ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, sipas Quotidiano, duke përmendur anëtarësimin e mëtejshëm në strukturat evropiane. Ashtu sikundër integrimi i gjithë rajonit, është me rëndësi jetike për Evropën.

Gazsjellësi TAP, duke mbetur në fushën e energjisë, është një pikë diskutimi, pasi ai vjen nga Azerbajxhani, kalon përmes Shqipërisë dhe më tej shkon në Itali nga linja e gjetur në detin Adriatik, ku edhe gazi mund të shpërndahet më tej në gjithë vendet e BE-së.

Objekt tjetër diskutimi mbetet edhe lufta në Ukrainë, e cila prej një viti e gjysmë thuajse vijon dhe ka parë pasoja të mëdha për gjithë kontinentin e vjetër, përfshi edhe Shqipërinë dhe Italinë, me rritjen e inflacionit.

Latest articles

Related articles