Papa Françesku: masakrat e detit, plagë e hapur në zemër të njerëzimit

spot_img

E fuqishme, thirrja e Papës pas lutjes së Engjëllit, për tragjedinë e shumëfishtë të detit, ditët e fundit, në ngushticën e Sicilisë: “Që nga fillimi i vitit – vërejti – pothuajse 2000 burra, gra dhe fëmijë humbën në këtë det, nësa përpiqeshin të arrinin në Europë. Plagë e hapur, në zemër të njerëzimin tonë”.

Dhimbje dhe turp
Ipeshkvi i Romës shpreh “dhimbje dhe turp”, e më pas inkurajon forcat politike dhe diplomatike “që përpiqen ta shërojnë këtë plagë, me frymë solidariteti dhe vëllazërimi, si dhe të gjithë ata, që punojnë për të parandaluar mbytjet e anijeve dhe për të shpëtuar detarët”.

Sot, një mijë transferime nga Lampedusa
Në tragjedinë që ndodhi të martën e kaluar, 41 emigrantë humbën jetën pas përmbysjes së një varke të vogël, nisur nga Sfax në Tunizi, në të cilën ndodheshin prej pesë ditësh. Ndërmjet viktimave, edhe tre fëmijë. Katër, që shpëtuan, u transferuan dje nga Lampedusa. “Kërkuan të vazhdonin lundrimin duke mbetur të bashkuar. E kështu edhe u bë” – saktësoi Pierluigi De Ascentiis, nga zona e Emergjencave të Kryqit të Kuq Italian në Lampedusa, duke shtuar se sot priten rreth një mijë transferime, ndërsa prania e të arriturve në strukturë është 2610 vetë. Ndërkohë, edhe këtë të dielë, Mesdheu vijon të shndërrohet në vend vdekjeje dhe dëshpërimi. Sot në mëngjes roja bregdetare italiane gjeti një trup në brigjet e ishullit Marettimo, në Sicilinë perëndimore. Është njëri prej dy të zhdukurve nga mbytja e djeshme e anijes në brigjet e Marettimos, pas së cilës rojet bregdetare shpëtuan 11 vetë. Sipas dëshmitarëve, në anije duhet të ishin 13 vetë.

Në kërkim të të humburve marrin pjesë 3 varka patrullimi dhe një helikopter i rojes bregdetare.

Hija e vdekjes vijon të endet në detet e Evropës
Mbytjet masive të emigrantëve nuk pushojnë as në detet e tjera që lagin brigjet evropiane: sipas autoriteteve franceze, të paktën gjashtë persona u mbytën e dy u zhdukën pas përmbysjes së një varke, që po përpiqej të kalonte La Manshin nga Franca. Paralelisht, në Mesdheun jugor, të paktën dy emigrantë humbën jetën, me ta, edhe një fëmijë, ndërsa 5 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas fundosjes së një varke me të paktën 20 persona. Varka u mbyt vetëm 120 metra larg bregut të Gabés, në juglindje të Tunizisë. Tragjedia e re u kumtua nga Garda Kombëtare Tuniziane, e cila saktësoi se po kryhen kërkimet për gjetjen e të zhdukurve; por në Gjirin e Gabes rrymat janë shumë të forta, e të pakta, shpresat për të gjetur dikë të gjallë. Tema e emigracionit do të jetë në qendër të Med23 “Rencontres Méditerranéennes” në Marsejë. Më 22-23 shtator do të jetë i pranishëm edhe Papa Françesku, së bashku me përfaqësues të të gjitha besimeve dhe feve të Mesdheut. “Takimet mesdhetare” do të zhvillohen në qytetin francez nga 17 deri më 24 shtator 2023.

Latest articles

Related articles