Sa herë shpërthejnë skandale të forta, Edi Rama del me një vjershë të gjatë ku u shpjegon shqiptarëve se në gjithçka ndodh, vetëm kryeministri nuk ka faj.
Rasti kur Xhuvani vrau 4 qytetarë, rasti i arratisjes së Ahmetaj dhe plot raste të tjera, dëshmojnë se kryeministri ketë e ka metodë pune.
Ai del dhe shpjegon nga pozita kulturore. Sipas tij të tjerët janë llum dhe nuk i duan bukuritë që krijon ai, ndërsa ai është arkitekti i të bukurës i cili shqiptarëve të pagdhendur ua imponon të bukurën, me zor. Diçka si Pjetri i Madh ky, emancipues i popullit të tij primitiv.
Pjetri i Madh ishte i vërtetë në emancipim dhe vërtetësia e tij dëshmon dimension të gjerë mendor. Edi Rama duke qenë imitues e duke e përdorur emancipimin si kamuflim, dëshmon qenien bosh. Imitimi apo kamuflimi pas emancipimit, është si fuçi boshe e cila kur e godet nga jashtë, kërcet.
Në një shtet kushtetues, kryeministri nuk ka detyrë të shpjegojë nga ana arkitektonike dhe estetike. Ai duhet të shpjegohet nga ana shtetërore e penale.
Në Shqipëri nuk është primitiv populli, janë primitiv shteti, politikanët, sunduesit, si Rama, Berisha e me radhë të cilët gjykojnë dhe sillen si primitivë. Populli spo spo sillet si primitiv, këta po, sillen si primitivë kur gjykojnë si feudalë të vitit 1300.
Kulla “Mali i Tiranës”, fsheh rrezikun se aty mund të jenë duke u pastruar paratë e krimit të organizuar. Prandaj duhet hetuar e vetuar.
Rrezikun e pastrimit të parave nuk e shpikën shqiptarët, aq më pak opozita, shoqëria civile apo gazetarët. Është rrezik permanent dhe i pranishëm, kudo në botë.
Pastrimi i parave kërcënon shtete me të konsoliduara dhe shoqëri më të mbrojtura sesa shoqëria shqiptare, jo spo kërcënoka Shqipërinë. Apo të gjithë kërcënohen, vetëm ne, jo? Vetëm ne vazhdojmë shkëmb graniti buzë Adriatikut.
Një kryeministër normal e shtetar i cili punon për shtetin, do të kishte angazhuar agjencitë shtetërore kundër pastrimit të parave. Për të parë, kush janë këta që na ndërtojnë kullë 64 kate, ku i kanë paratë dhe çfarë parash kanë?
Një kryeministër primitiv, në vend që të hetojë e të kontrollojë, nis shkruan vjersha kundër opozitës, gazetarëve, shoqërisë civile e cilitdo që ngre një shqetësim të cilin e ngre e gjithë bota.
Sipas gjykimit primitiv, gjithçka ndodh rreth e rrotull, vetëm prijësi i tribusë nuk ka faj. Prijësi i tribusë së parave, ska faj. Fajin e kanë ata që kërkojnë transperencë me pushtetin publik.