Nga Zef Ndreka
Shprehja popullore: “mirë ngordhi kali, por s’të lënë mizat”, gjenë vend tek Partia Demokratike zyrtare, e cila gjendet në nokdawn të plotë, e shtrirë përdhè, por që ende frymon nga anëtarët qëndrestarë dhe pak a shumë nga kolegji i kryetarëve.
Rezultati i zgjedhjeve vendore të 14-Majit, nuk po lexohet siç duhet as nga grupi parlamentar apolitik i PD-së, as nga Kryesia e mbetur e saj, as nga drejtuesit e ish drejtuesit.
PD-së duket se i ka humbur orientimi. I ka humbur vektori lëvizës. Ç’organizimi ka arritur ta paralizoje pothuaj plotësisht. Nuk i punon asnjë gjymtyrë.
Kaq e fortë ka qënë goditja që ka marrë nga sulmet e përçarjes brënda llojit, sa duket se nuk ka mjek ta shëroje.
Helmimi që i ka bërë në vite Berisha kësaj partie dhe detyrimet që paskan një pjesë e deputetëve të saj, apo të drejtuesve aktual, kërkon një përmbysje të madhe.
Nuk mundet të vazhdohet më me këmbënguljet absurde: Berisha ik-Berisha rri! Basha rri-Basha kthehu!
Partia Demokratike është e përçarë edhe pa Berishën dhe Foltoristët. Pozicionin e saj tani nuk e gjen dot as në google, sepse ska seli, ska rrugë, ska kryqëzim as udhëkryq më. Imagjinata të tregon se është në ajër duke ju afruar ndonjë semafori të kuq! Për tu trafikuar më tej, ose për tu asimiluar për të mos ekzistuar më.
Shpresa e vetme e kësaj pjese partie për të mbijetuar e për tu rritur, mbetën vetëm 104 mijë votat e qëndrestarëve. Të gjitha lëvizjet e tjera deri më tani për bashkëpunim me Berishën janë humbje në kohë.
Mbrëmë, kolegji i kryetarëve bëri një mbledhje të vonuar dhe jo pa tensione.
Me votim dhe me qëndrim, edhe pse nuk është organ vëndimarrës, kjo strukturë e PD-së miratoi një deklaratë që shkon kryekëput kundër grupit parlamentarë.
Kjo tregon distancen e madhe, hendekun e madh që ekziston brënda kësaj partie ndërmjet interesaxhinjeve deputet që kërkojnë semafori dhe demokratëve qëndrestarë.
Situata në PD nuk duket të ketë zgjidhje. “Tuç Maku” i ka ngulur keq thonjt asaj. Tani kemi parti me emër dhe vetëm me vulë, pa kryetarë, pa nënkryetarë, me deputet të trafikuar, me kryesi që mendon si ti hyjë në zemër Berishës e të jenë në listat e sigurta për zgjedhjet e 2025 që janë në prag.
Në këto kushte, kur frymës nuk i përgjigjet Partia Demokratike, frymë të cilën e treguan realisht shumë qartë dje kryetarët e rretheve, duhet një zgjidhje politike, veprime të forta e të qarta për të mbledhur demokratët e lënë enkas jetim. Ndryshe do të ndërrohen rolet.
Thelbi i mbledhjes së mbrëmshme, ishin pyetjet pa përgjigje që demokrati, miku ynë Gjelosh Progni i bëri Sekretarit të Përgjithshëm:
“këto ditë ekzistenciale të PD-së, pavaresisht se humbëm, dua të falenderoj Alibeaj, kolegjin e kryetareve, kandidatët z.Bejko dhe tjerët, deputet Pampuri, Hoxha, Gështenja dhe Çollaku.
Nuk dua të zgjatëm për gjëndjen në PD, me statutin se të gjithë e njohim realitetin.
Për të mos i bërë pyetjet në media apo rrjete sociale, po i bëj këtu përballë për të verteten edhe dua pergjigje:
1. E keni dëmtuar PD në fushate?
2. Cili ishte dhe është qëllimi juaj?
3. A ndjeni përgjegjësi për humbjen?
4. Ju që keni mbeshtetur kandidatët e Foltorës, a keni fituar këshilltarë të PD?
5. Dy vite nuk mjatuan për reflektim e bashkim me demokratet e thjeshtë të foltorës, përse duhet të zgjatët më tepër tani?
6. Me kë bashkim me komunistët e foltorës, të atyre që shajnë, fyejnë, shantazhojnë, që kërcënuan për gati dy vite etj.
7. A i keni mbeshtetur kryetarët, strukturat e PD-së në fushatë, sepse nuk më rezulton?
8. Grupi parlamentar nuk është vëndimarrës për funksionimin e partisë, ndaj përse sot i jep një fuqi të tillë vetës.
9. Përse duhet të bëhen zgjedhje nga baza në qëndër edhe mos të bëjmë zgjedhje për kryetarin e pastaj për strukturat deri në bazë?!
Më pas, me votim dhe në unanimitet, u miratua deklarata e kolegjit të kryetarëve.
Kjo deklaratë, sido e cunguar, përbën thelbin e situatën para dhe pas zgjedhorë vendore, si dhe pritshmeritë për të ardhmen.
Deklaratë
Kolegji i Kryetarëve të Partisë Demokratike, i mbledhur më 5 Qershor 2023, pasi e dëgjoi dhe e diskutoi, miratoi me unanimitet deklaratën si më poshtë:
Partia Demokratike që prej marsit 2022 ka bërë përpjekje të vazhdueshme, por pa rezultat për bashkimin e demokratëve,
– dorëheqja e kryetarit më qëllim për ti hapur rrugë bashkimit, gjë që nuk ndodhi,
– kërkesa për organizimin e zgjedhjeve të përbashkëta të cilat u refuzuan,
– kërkesa për përzgjedhjen e kandidatëve në zgjedhjet e 14 majit që u refuzua dhe u vazhdua me procese të njëanshme,
– propozimin për daljen me një kandidat të përbashkët për zgjedhjet vendore të 14 majit duke pranuar kandidatët e primareve,
Të gjitha këto përpjekje u refuzuan!
Eshtë humbur një vit në pritje të bashkimit, por pa rezultat dhe kjo ka ndikuar në dëmtimin dhe dobësimin e Partisë Demokratike.
Drejtuesit e Partisë Demokratike nga seksionet, grupseksionet, kryetarët e degëve kanë punuar me vetmohim për të mos lejuar asimilimin Partisë Demokratike apo asgjesimin e saj.
Ne jemi të vendosur që Partia Demokratike të vazhdojë të jetë një parti aleate e SHBA, Britanise se Madhe dhe BE, të shndërrohet në një alternativë dhe shpresē për shqiptarët në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.
Për këto arsye, çdo ditë e humbur nuk i shërben as Partisë Demokratike, as demokratëve.
Partia Demokratike duhet pa asnjë vonesë të zgjedhë kryetarin e saj dhe të nisë organizimin dhe përzgjedhjen, të ekipeve që do ta drejtojnë këtë parti drejt zgjedhjeve të ardhshme.
Partia Demokratike nuk mund të vazhdojë të qëndrojë më gjatë pa kryetar. PD ka humbur kohë në pritje, ndërkohë që nuk ka asnjë reflektim nga pala tjetër, as pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit.
Procesi për zgjedhjen e kryetarit të përfundojë brenda datës 15 Korrik 2023.
Nëse vazhdojmë të rrimë në pritje, ateherë kjo i shërben vetem projektit të kundërshtarëve tanë politikë.
Nuk duhet humbur më asnjë ditë kohë për organizimin e PD, zgjedhjen e drejtuesve dhe shndërrimit të Partisë Demokratike në forcën politike që kërkojnë sot shqiptarët.