Këshilla që nuk ia dëgjuam humanistit Kissinger

Redaksia

Mbushi sot (27 maj) plot 100 vjet jetë humanisti Henry Kissinger, një nga diplomatët më të shquar amerikanë për më shumë se gjysmë shekulli e deri sot, protagonist kryesor në ngjarje historike në disa kontinente si dhe autor I një serie librash mbi diplomacinë botërore.
Bashkë me ditëlindjen e 100-të, ai ka këtë vit edhe 50-vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe (1973), që iu dha për mbylljen e luftës dhe kthimin e paqes në Vietnam. Ai ishte Sekretari i 56 i Shtetit i SHBA-ve vetëm për katër vite (1973-77) dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare vetëm për 6 vite (1969-75), ndërsa gjithë jetën ndihmoi paqen dhe demokracitë kudo në botë, i ftuar dhe i lakmuar gjithëkund për të dhënë ndihmesë me mençurinë e tij.
Në fund të viteve 80 të shekullit të kaluar, kur kampi i shteteve komuniste në Europën lindore zuri të zbërthehej dhe regjimet nisën të binin një nga një për t’u zhytur në tranzicionin drejt demokracisë, diplomati i famshëm Kissinger u dha atyre një këshillë mbresëlënëse. Ai tha se pas regjimeve të dhunshme jetëgjata, këto vende ish komuniste në tranzicion duhej të kishin udhëheqës tranzitorë, që të rrinin pak në pushtet, të lejonin rotacionet e buta dhe të shpeshta në qeverisje dhe të bënin secili nga një pjesë të transformimit të vendit nga diktatura në demokraci.
Kissinger nënvizoi se rëndësia më e madhe nuk i duhej kushtuar egoizmit të njerëzve në udhëheqje, por duhej ruajtur saktësia dhe shpejtësia e procesit demokratik sipas trajektores më të favorshme për zhvillimin e vendit, të përcaktuar me mirëkuptim nga forcat politike.
Shqipëria bëri krejt të kundërtën e kësaj këshille amerikane, që vinte nga miku më i madh i shqiptarëve. Sikur Shqipëria ta zbatonte sadopak këtë këshillë, sot do të ishte shumë më ndryshe në demokraci, në ekonomi, në institucione, dhe nuk do të ishte pas 30 vjetësh në të njëjtën krizë të thellë politike e demografike, në të njëjtin depresion social dhe korrupsion ekonomik, klientelist, oligarkik.
Kur Henri Kissinger të shuajë sot qirinjtë e tortës, i përshëndetur nga të katër anët e botës për karrierën e tij të gjatë humaniste dhe diplomatike, shqiptarët nuk kanë asgjë për të festuar, përkundrazi, duhet t’I thërrasin mendjes dhe të nisin të zbatojnë këshillën e tij, e cila është e vlefshme edhe sot, përderisa kushtet kur ajo lindi dikur janë të njëjta si sot. Asnjëherë nuk është vonë për pendesë dhe për t’i ndihmuar demokracisë.

Latest articles

Related articles