Prokurori i Gjykatës së Shkallës së parë Vlorë, Auel Zarka, këtë të premte të 12 majit ka dalë në një deklaratë për shtyp sa i takon arrestimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri.
Kështu Zarka njoftoi se me datë 8 të këtij muaji është regjistruar procedimin për veprën “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Nga aktet e administruara deri më tani kishte informacione në lidhje me disa shtetas të dyshuar të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të shit-blerjes së votës, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, në qytetin e Himarës dhe në fshatrat që janë pjesë e bashkisë Himarë.
Këta persona iu ofronin qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurues.
Pas regjistrimit të procedimit penal, bazuar në faktet, në kuadër të operacionit policor të koduar “Matrix”, është bërë në arrestimi në flagrancë i Belerit dhe një shtetasi tjetër.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shumë monetare prej 40 mijë lekësh të rinj.
Arrestimi i tij ka trazuar ujërat e politikës në Shqipëri dhe Greqi, duke qenë se ai i përket minoritetit grek.
Menjëherë pas shoqërimit të tij pala greke kërkoi një takim më ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka.
Kjo për të shprehur shqetësimin në lidhje me arrestimin e këtij kandidati.
Takimi u realizua, por jo me Xhaçkën. Ishte një nga drejtorët ai që priti ambasadoren greke, Konstantina Kamitsi.
Nga ministria u bë me dije se kjo ishte një procedurë normale dhe se çështja do t’u dërgohet organeve kompentete.
Më pas ambasadorja greke u drejtua për në qytetin të Vlorës, aty ku po mbahet Beleri.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, dhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis, e kanë cilësuar ngjarjen “skandaloze” nëse nuk do të ketë prova të forta.
Madje ata kanë lajmëruar përfaqësuesit më të lartë të institucioneve evropiane.
Nga ana tjetër, opozita dhe vetë kreu i Partisë që Beleri përfaqëson, Vangjel Dule, ka bërë me dije se kjo është “një hakmarrje politike”.