R. SH. Vatikan
Papa shpreh dhimbjen e tij për “aktet e pakuptimta të dhunës” ditët e fundit në Serbi, tronditur thellë nga të shtënat në shkollën fillore Valdislav Ribnikar në Beograd dhe në qytetin e Mlladenovacit, rreth 50 kilometra larg kryeqytetit, me pasojë 16 të vdekur. Në një telegram nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, i drejton ngushëllimet më të ndjera Imzot Ladislav Német, kryeipeshkëv i Beogradit dhe kryetar i Konferencës Ndërkombëtare Ipeshkvnore të Shenjtorëve Kirili dhe Metodi.
Lutje dhe ngushëllime
Në tekst, Françesku siguron se lutet e, në vijim, pasi shpreh ngushëllimet për ata që u prekën “nga këto akte të pakuptimta dhune”, bashkohet “shpirtërisht me dhimbjen njerëzore të të afërmve, që vajtojnë për vdekjen e viktimave të pafajshme, të cilat ia dorëzon përqafimit plot dashuri të Zotit të Ngjallur”. Pastaj Papa, duke dhënë bekimin apostolik, i lutet “Shpirtit Shenjt t’i ngushëllojë familjet e pikëlluara dhe t’u japë të plagosurve forcë nga feja e tyre”.
Masakra të tjera
Në Beograd, më 3 maj, një djalë 13-vjeçar hapi zjarr në shkollën e tij, duke vrarë tetë nxënës dhe portierin. Të nesërmen, një masakër e re ndodhi në Mlladenovac, në jug të kryeqytetit, ku një 21-vjeçar hapi zjarr nga makina e tij, duke vrarë tetë persona të tjerë.