Binjakët “Lupen” shpallen sërish në kërkim- Policia: Dy shqiptarët i kanë shpëtuar burgut prej ADN-së

Shqiptarët binjakë Edmond dhe Eduard Trushi, të dy 38 vjeç u shpallën prej kohësh të pafajshëm për shkak se informacioni i tyre gjenetik është pothuajse identik dhe autoritetet nuk e përcaktonin dot se kush i kryente vjedhjet në Itali. Por tani ata janë shndërruar sërish në makthin e italianëve duke vjedhur banesat e këtyre të fundit.

Për këtë arsye, policia ka bërë apel për kapjen e tyre dhe ka njoftuar qytetarët që të telefojnë në 112 nëse kanë informacion apo i hasin në rrugë.

Të dy binjakët kanë kryer vjedhje muajt e fundit duke përdorur metodën e tyre; ata hapin një vrimë në kornizën e dritares, më pas futin telin me të cilin hapin derën ose dritaren dhe futen fshehurazi në shtëpi për të grabitur.

Me këtë sistem ata kanë bërë qindra vjedhje vitet e fundit në Italinë e Veriut. Por problemi është se të dy janë praktikisht identikë (të njëjtat prerje flokësh dhe të njëjtat tatuazhe) dhe ishte shumë e vështirë të atribuohej në mënyrë specifike se kush e kishte kryer vjedhjen.

Autoritetet kanë kryer edhe analizat e ADN-së me gjurmët e tyre të mbetura në vendet ku kryenin vjedhjet, por sërish nuk kishin një rezultat të sigurt për të ndarë njërin nga tjetri.

Megjithatë, sipas një studimi të fundit nga Universiteti i Islandës, i cili konfirmon një analizë të mëparshme të vitit 2008, edhe binjakët identikë homozigotë kanë disa dallime gjenetike, shkruan Corriere della Sera.

Kjo u evidentua nga një studim i Universitetit të Islandës i publikuar në vitin 2021 në “Nature Genetics”, sipas të cilit roli i faktorëve gjenetikë në dallimet midis binjakëve identikë është nënvlerësuar.

Falë edhe ngjashmërisë së ADN-së së tyre, ata u shpallën të pafajshëm tre here. Madje u quajtën Binjakët Lupen (referuar hajdutit të famshëm francez, Arsen Lupen).

Për aq kohë sa teknikat më të sakta përmes analizave të gjurmëve të gishtave nuk dhanë rezultat, ata u gjurmuan përmes telefonatave duke bërë që të dënoheshin në vitin 2020 nga Gjykata e Mantovës me 2 vjet e dy muaj burg.

Ata ishin dënuar më parë dy herë, një herë në Pordenone: i pari me 6 vjet e 10 muaj dhe e dyta në apel për 5 vjet e 5 muaj. Ndërsa ishte dhënë urdhri për t’i dëbuar nga Italia.

Pas vuajtjes së dënimit, ata i janë rikthyer sërish zanatit të vjetër. Hetuesit janë në kërkim të tyre si “autorë të dyshuar” të vjedhjeve që kanë ndodhur muajt e fundit.

Komandanti i njësisë hetimore të Komandës së Karabinierëve të Udinezes konfirmoi për Corriere denoncime të ndryshme kundër tyre ndërsa hetimet për kapjen e tyre janë në zhvillim e sipër.

Latest articles

Related articles