Peticion për lirim nga burgu

Marrëzia s’ka fund. Po lexoja diku një titull bombastik se në Shqipëri është “luks” i tepruar të rrijë në burg një inxhinier. Gazetarja kishte vënë fytyrën e saj dhe fliste për një peticion që inxhinjeri i arrestuar për korrupsion me inceneratorët, kur të lirohej nga burgu, të shkonte në auditor. Sipas SPAK-ut, inxhinjeri kishte miratuar fatura fiktive në vlerën e katër milion eurove. Katër milion euro, jo shaka. Mendoje pak. Ti fiton maskimumi 1 mijë euro në muaj, familjarisht. Ai ka vënë firmën, tak fak, mbi katër milionë euro fatura fiktive. Ty të duhet të punosh si fis, 20 vjet, me 2 mijë euro rrogë, dhe mezalla se do ja mbërrish të mbledhësh 1 milion euro.

Kjo gazetarja dhe të ngjashme me të, janë nga ato VIP-et që dalin darkave dhe qajnë nëpër studio se sa keq është në Shqipëri dhe rinia vetëm ikën. Qajnë për trashëgiminë kulturore që po prishet nga kullat vend e pa vend. Pastaj shkruajnë artikuj për të drejtat e njeriut dhe se si korrupsioni minon të ardhmen e vendit. Pastaj, pasi i kanë bërë të gjitha këto, flasin se si të lirohen të burgosurit me peticione.
Uroj të jetë ndonjë lajm me porosi nga sipër dhe zbatim nga poshtë! S’i thonë pak katër milion euro. Përndryshe, është shumë turp kur lexoj se një gazetar mendon se me peticion dikush lirohet nga burgu.

Për shembull, me këtë logjikë gazetareske, komuniteti i Çoles në Vlorë, pas thirrjes së kësaj gazetareje, i bën apel SPAK-ut të marrë në shqyrtim dosjen e Zan Caushit dhe ta shqyrtojë me kujdes. Për sa kohë ata ishin në Çole, banorët e deshën dhe e cilësuan Robin Hudi i Vlorës. Madje, ai ka mbrojtur shumë familjarë që kanë pasur konflikte dhe ua ka zgjidhur.
Në krahun tjetër, Gaxhai ka mbrojtur shumë gra që të mos përdhunohen nga bandat e ’97-ës. Një komunitet tjetër vlonjat bën thirrje dhe ka firmosur një peticion që dosja e Gaxhait të shihet me kujdes dhe Gaxhai të kthehet në auditor pasi të dal nga burgu.
Pasi lajmi mori dhenë, familjarët e të burgosurve kanë nisur peticione nëpër gjykata dhe nëpër ministri që të lirohen të dashurit e tyre. Lirime nga burgu me peticione. Ç’marrëzi!

Nga Sebastian Zonja

Latest articles

Related articles