Nga Sebastian Zonja
Amerikanët arritën brenda një viti të realizonin atë që Bashkimi Evropian nuk e realizoi dot për 30 vjet, sigurimin e kufirit me Rusinë.
Të gjithë anëtarët e NATO-s kanë rënë dakord që Ukraina t’i bashkohet aleancës ushtarake veriatlantike, njoftoi të premten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Deklarata e Stoltenbergut për gazetarët erdhi përpara takimit të 11-të të Grupit të Mbrojtjes të Ukrainës, në bazën ajrore Ramstein, në Gjermani. Megjithatë, Stoltenberg nuk ofroi një afat kohor se kur Ukraina mund të bëhet anëtare e NATO-s, ndërsa tha se fokusi kryesor mbetet fitorja ndaj Rusisë.
Pa kaluar në ekonomi lufte, vetëm me stoqet ushtarake të vetat, amerikanët arritën të ndalnin pushtimin e Ukrainës. Kjo tregon fuqinë e përbindshme ushtarake amerikane si dhe mitin e rremë të superfuqisë ruse. Analistët ushtarakë thonë se me kalimin e Ukrainës në NATO, Rusia mbetet thjesht një fuqi rajonale me disa dhjetëra mbushje bërthamore aktive. Ndërkohë, sa i përket disa analizave të gjeopoliticienëve, Rusia po kthehet në fuqi aziatike, në pamundësi për të projektuar fuqi në Perëndim.
Ky është çast i artë për politikën shqiptare që të avancojnë interesat tona në Ballkan, duke vënë me shpatulla pas muri diplomacinë e sllavëve me fytyrë nga Moska. Rusia është, me gjasë, po aq e dobët sot, sa ç’ishte kur NATO bombardoi Beogradin. Madje, mund të themi se është më e izoluar diplomatikisht. Nëse Tirana dhe Prishtina do të koordinojnë lëvizjet e tyre, anëtarësimi i Shqipërisë në BE, Kosovës në NATO dhe çelja e negociatave janë shumë të afërta. Në të kundërt, do bëjmë atë që kemi bërë gjithnjë, sherre aq të mëdha, si ky që kemi sot në Tiranë, apo trazirat e 97-ës, sa vëmendja do jetë si të zbuten gjakrat brenda vendit, jo si të avancojnë interesat e shtetit dhe kombit.
Çuditem, faktikisht, se ngjan sikur i stis njeri me dorë këto sherre kaq të ndezura në momente kaq kritike!